Rozetat përgatiten nga druri i pishës. Nëse elemtët e tjerë të shtëpive Gjirokastrite kanë pasur përdorim të drurëve të ndryshëm, për rozetat mjeshtrit kanë përdorur vetëm drurin e pishës, pasi ky lloj druri është rezistent ndaj lagështirës si pasojë e ndryshimit të stinëve. Lënda e drurit më herët sigurohej në vend ndërsa sot është e importuar.
Për të punuar një rozetë ka disa materiale të tjera shtesë që nevojiten. Sheshi, është një pjesë druri e prerë në masën që do vendosen elementët e rozetës. Sheshi mund të ketë forma të ndryshme që ndryshojnë në varësi të tavanit por dhe shijës së porositësit.
Format e ndryshme të rozetës janë: 6 këndore, 8 këndore, të rrumbullakta dhe katrore. Pasi është prere sheshi, pritet kornizimi që bëhet tek rozeta sipas formës së saj. Pasi kanë përfunduar fillon prerja dhe gdhendja e elementëve të rozetës. Kur elementët kanë përfunduar ato lidhen në harmoni me njera tjetrën dhe krijojnë rozetën e plotë. Rozetat kryesisht kanë simbolin e gjetheve ku më shpesh shfaqet gjethja e dafinës për të treguar vazhdimësinë e jetës. Rozetat punohen me disa lloje daltash dhe pasi mbaron gdhendja dhe zmerilimi lyhen me bojë ose me llak.
(Në materialin video Viktor Nurçe, Gjirokastër)