Poganiqia (hedhja e fëmijës në djep) është një ngjarje festive, e gëzueshme që kryhet në familjet lunxhote kur lind fëmija. Poganiqja është një nga ritualet më të vjetra të krahinës së Lunxhërisë.
Ditën e tretë ose edhe deri ditën e shtatë në shtëpinë ku ka lindur fëmija, shkojnë të afërmit dhe gjitonët. Nga një nuse që ka lindur fëmië, ka mëmë e baba gjallë, është e pashme dhe pa cene, përgatitet kulaçi.
Pas përgatitjes së kulaçit, për vizitë vijnë njerëzia dhe fëmijë. Qerasen gliko, karamele dhe burrat pinë raki.
Fillojnë me urimet:
Me këmbë të mbarë
Edhe 100 vjec
Të rritet kanakar
U bëftë i hairit
Në mes të divanit (dhomës së ndënjes) vendoset djepi. Lehona sjell fëmijën dhe, e vendos në djep. Pranë djepit afrohen fëmijtët dhe këndojnë:
Kur është djalë:
Poganiqe djalë burrë
Ta dërgojmë në Masurë
Të na bjerë para shumë
Para shumë e lira shumë
I majmë si derri, i butë si qengji
Daltë me shëndet nga djepi
Kur është vajzë:
Poganiqe vajzë grua
Ta dërgojmë në përrua
Të na lajë carbat
Carbat e skutinat
E majmë si deri…
Djali (vajza) që na lindi rroftë
U plakt e u trashëgoftë
Shtëpinë me fëmijë mbuloftë.
Bukur ke gatuar – o zonja Leni
Seç të kanë shquar-o
Të kanë fluturuar-o
Zonja Vito, moj kadënë
Gjumi sonte s’të ka zënë
E zure brumin që mbrëmë
Të bënej kulaç i rëndë
Djalin (vajzën) poganiqe bëmë
U rrittë me baba e mëmë .
Kënga përsëritet tri herë duke e vënë fëmijën tre herë në djep.
Më pas, vjen kulaci të cilin e thyejnë me copa të vogla mbi djep dhe ua shpërndajnë fëmijëve, të cilët porositen që ta hanë brenda shtëpisë, jo përjashta sepse bëhet djali kusar. Më pas copa nga kulaçi u shpërndahen gjithë të pranishmëve të cilët përsëri hedhin e presin urime.
Këndohen këngë të tjera.
Këndon një birbil mbi portë
Dëgjoni se ç’këngë thotë.
Rrushi i kuq e rrushi i bardhë
Nusia na bëri djalë (vajzë)
Të na rritet kanakare me mëmë e baba pranë.
Të na ketë këmbën e mbarë Motëmot me një vajzë (djalë)