Supa “pasha qofte” spikat në kuzhinën gjirokastrite për shijen e saj unike dhe karakteristike. Ajo është një nga krenaritë jo vetëm të kuzhinës gjirokastrite por edhe të asaj shqiptare. Kjo supë sot gatuhet në shtëpitë e qytetit dhe pothuajse në çdo restorant, pasi është një nga gatimet më të kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj.
“Pasha qofte”, është një gatim i vjetër i qytetit të Gjirokastrës dhe rrethinave. Ajo gatuhet dhe gjendet gjerësisht edhe në qytetin e Përmetit dhe rrethinat e tij.
Përbërës për 4 persona.
Për përgatitjen e qofteve: 250 gr mish i grirë, 1 kokërr qepë, 1/3 filxhani çaji me oriz, një e bardhë veze, 1 lugë gjelle gjalp ose vaj ulliri, 3 gota me ujë, majdanoz i freskët, kripë, piper.
Për përgatitjen e lëngut të supës (salcës): Lëngun e një kokrre limoni, një gotë ujë, 2 të verdha vezësh, një lugë gjalpë i shkrirë.
Përgatitja:
Në një tenxhere hedhim ujin bashkë me orizin dhe e lëmë të zjejë për 15 minuta. Më pas e heqim tenxheren nga zjarri dhe orizin e kullojmë nga uji duke e lënë mënjanë në një enë. Ndërkohë grijmë qepën hollë dhe e hedhim tek ena ku kemi hedhur orizin e kulluar, shtojmë mishin e grirë, bashkë me të bardhën e vezës, kripën, piperin dhe majdanozin e freskët. I përzjejmë mire me dorë të gjitha bashkë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme. Më pas, njomim duart me ujë që të mos ngjisin dhe ndajmë masën e brumit të përgatitur në qoftë të vogla në madhësinë e një kokërr arre.
Ndërkohë hedhim në një tenxhere dy gota me ujë, pak gjalpë dhe shtojmë me kujdes qoftet duke i lënë të zjejnë në zjarr të ngadaltë për gjysmë ore.
Duke pritur zierjen e qofteve fillojmë me përgatitjen e lëngut të supës (salcës).
Në një tigan hedhim dy lugë gjalpë dhe dy lugë miell. Përziejmë miellin me lugë druri dhe e skuqim ngadalë. Shtojmë lëng pak nga pak nga tenxherja ku ziejnë qoftet deri sa masa të jetë kremoze duke patur kujdes mos bëhen kokriza. Kremin e përftuar e hedhim tek tenxherja ku ziejnë qoftet.
Rrahim të verdhat e vezës bashkë me lëngun e limonit dhe shtojmë pak lëng nga ena ku ziejnë qoftet. Kjo me qëllim që veza të mos pritet. Më pas këtë përzierje e shtojmë ngadalë ngadalë tek tenxherja ku ziejnë qoftet duke e përzier me lugën e drurit.
Vazhdojmë i përzjejmë qoftet në tenxhere më shumë kujdes që të mos prishet forma e qofteve. Tenxheren e heqim nga zjarri dhe supën e servirim të ngrohtë. Sipër mund të shtojmë pak gjalp të shkrirë dhe majdanoz të grirë hollë. Kjo supë shoqërohet me bukë të freskët, me sallatë të stinës, byrekë të ndryshëm ose djathë të bardhë.
(Në materialin video Sedat Ismailati, bashkia Libohovë. Tel: +355682709744)