Puna për rrotën e qerres fillon me realizimin e kokës së rrotës. Për realizimin e rotës së qeres, përdoret lëndë druri e stazhionuar, e cila mund te jetë ah, vidh, dushk etj, pra dru i fortë.Copa e drurit fiksohet në torno dhe punohet deri sa merr formën e duhur. Pas kësaj ajo shpohet me trapan dhe më pas puna vazhdon me skarpellë (daltë) për të hapur foletë, ku do të vendosen më pas elementët e rrotës.
Këta elementë përgatiten prej druri me buzë të rrumbullakosura dhe në pjesën e sipërme dhe të poshtme punohen me sqepar në formë katrore, për t’u futur me shtrengim tek foletë e hapura tek koka e rrotës. Këto punohen me ndimën e një vegle që quhet ‘’aeroplankë’’. Aeroplanka është një lloj zdrukthi me dy doreza, që përdoret për t’i dhënë formë elementeve të ndryshme të drurit. Këta elementë futen tek koka e rrotës pa përdorur ngjitësa dhe me shtrëngim. Zakonisht pjesa kuadratike bëhet pak më e madhe dhe pastaj duke e provuar gdhendet aq sa duhet me ndihmën e sqeparit.
Ana tjetër punohet në formë cilindrike dhe futet tek rrethi i jashtëm i rrotës. Elementet montohen në formën e rrezeve të diellit.
Pjesa e jashtme e rrotës, e cila është rrethore, realizohet me disa seksione harqesh. Sipas madhësisë së rrotës varion dhe numri i harqeve, që shkon nga 4-8 harqe për një rrotë.
Pasi montohen edhe këto pjesë rrotës i vihet nga jashtë një rreth metalik, i cili përgatitet prej kovaçit ose edhe prej vetë marangozit. Për të vendosur elementët metalikë si tek koka e rrotës, ashtu edhe atë të jashtëm, ata nxehen më parë për t’u bymyer dhe më pas vendosen e lihen të ftohen. Kështu ata lidhen më mirë me elementet e drurit. Rrethi i jashtëm fiksohet me vidha. Nëse do përdorej për qerret, tek aksi i rrotës do vihej një hinkë metalike për të penguar fërkimin.