Zanati i kujunxhiut, ose argjendarit eshte nje nga zanatet e vjetra qe I kanë rezistuar mjaft mirë kohës.
Kujunxhiu apo argjendari merret me prodhimin apo riparimin e sendeve me vlerë me material ari apo argjendi. Karakteristikë e kësa zejtarie është ambienti ku zhvillohet, e cila është pothuaj gjithnjë një kthinë me sipërfaqe të vogël.
Shemulli që do trajtojmë si objekt të punës së kujunxhiut, është zgjerimi i një unaze floriri.
Si fillim, unazën e presim në pjesën e poshtme dhe e futim në mullafa me numura. Më pas e vendosim në pozicioninin ku dhe sa do ta zgjerojmë.
Hapi i radhës është: Materialin prej floriri të tretur e vendosim mbi hapësirën që tregon mullafaja. E kapim me një pincë dhe e heqim prej saj.
Ashtu të kapur me pincë e futim në acid nitrik duke e lyer në pjesën e gurëve me një pendë të vogël.Ky proces ndihmon për ta mbrojtur pjesën e gurëve nga dëmtimet që mund të kryhen gjatë procesit të ngjitjes.
Më pas e vendosim mbi një dërrasë, ku është vendosur një letër amianti e më pas kryejmë procesin e ngjitjes.
Ngjitja bëhet me një buraxho (çakmak me temperaturë të lartë), i cili shpejton procesin. Mbasi ka mbaruar ky proces unazën e vendosim për t’u ftohur dhe më pas e futim në një enë me acid borik. Kjo shërben për mosndryshimin e ngjyrës që elementi merr gjatë ngjitjes.
Marrim elementin dhe fillojmë të bëjmë limosjen e tij, në fillim me limë të ashpër dhe në vazhdim më të imët. Me këtë proces, materialit që punojmë i japim njëtrajësinë me vendin ku u ngjit.
Më pas unazën e kalojmë në procesin e allokartisjes. Ky proces shërben që unaza kur të vendoset në gisht të mos gërvishtë, pra të jetë sa më e përsosur. Unazën e zgjeruar e kalojmë në një rrip që është i lyer me pastë jeshile pastrimi. Ky proces shërben që unaza të ketë ndriçim dhe të mos dallohet ngjitja e bërë dhe më pas e futim përsëri në mullafa, duke e goditur me çekië apostafat për ti dhënë rrumbullakësinë e duhur.