Në fund të shekullit të 19-të dhe fillimet e shekullit të 20-të, vallja ishte vetëm e kënduar. Mbas krijimit të formacioneve të sazeve, që përkon pak a shumë edhe me urbanizimin e qyteteve, vallet u bënë me shoqërim orkestral. Vallet e kënduara mund të jenë burrash dhe grash. Vallet e kënduara janë masive dhe dyshe, luhen nga dy valltarë që mund të jenë gra ose burra.
Vallet e grave në përgjithësi janë të thjeshta, si në strukturë ashtu edhe në ekzekutim. Trajta e tyre paraqitet pothuajse e njëllojtë.
Vallet e kënduara janë pjesë e folklorit popullor, trashëgimisë shpirtërore dhe zënë një vend të vecantë në folklorin e zonës tonë.
Si është vallja e kënduar konkretisht:
Vallja dyshe e kënduar është një tre zërësh.
I pari ia merr, i dyti ia pret që e përkrah dhe i treti e mbush me iso.
Që të tre zërat kanë një hap vallëzimi. Çdo varg ka një kulminacion, bëhet një pushim i vogël dhe vazhdon vallja. Koreografia është rrethore që tregon unitet, pavarësisht se teksti mund të ketë elemente inati apo mërie, gjë që tregon solidaritet dhe përfaqësim.