1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Aplikimi i dekoreve...
Aplikimi i dekoreve në dru
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Aplikimi i dekoreve...
Aplikimi i dekoreve në dru

Zanati i aplikimeve në dru në Shkodër e ka zanafillën prej Ndërmarjes Artistike të këtij qyteti, prej viteve 60-të. Aplikimet në dru janë disa llojesh dhe përdoren si objekt zbukurimi i orendive shtëpiake, sidomos i atyre që dekorojnë shtëpitë.

Aplikim zbukurimesh metali në dru. Ky aplikim është realizuar duke vendosur dekore prej bakri, alumini, bronzi mbi peshtaf (kuti që shërben për të mbajtur bizhuteri), korniza, panorama etj. Kemi disa lloje aplikimesh metali: Aplikim paft (Pllakë prej metal bakri, alumini e cila hollohet më pak se sa 1 mm. Kur arrijmë në hollësinë që kërkojmë, aplikohen zbukurimet që më pas montohen në objektin e parashikuar më parë. Format jepen nëpërmjet daltave të ndryshme duke punuar sipas vizatimit të bërë më parë. Dekoret realizohen me goditje të daltës, ku pafta vendosen mbi një gome. Objekti që aplikohet punohen më parë me pajisjet e drurit. Në objekt vendosen tela zik-zak dhe montohen në dru, mbasi të hapet kanali nëpërmjet një dalte. Më tej objekti montohet, llakohet dhe ngjyroset sipas modelit të preferuar. Në fund pasi është aplikuar edhe llaku, bëhet vendosja dhe ngjitja e tyre.

Aplikim i kashtës në dru. Edhe në këtë rast objekti parapërgatitet. Pasi i jepet ngjyra dhe një shtresë tutkalli (ngjitës për drurin), bëhet aplikimi me kashtë thekre. Kashta seleksionohet, zbardhet, ngjyroset me ujë të oksigjenuar dhe amoniak sipas kampionit. Përdoren edhe ngjyra bimore si: arra, frashër etj. Aplikimi bëhet me një brisk të vogël duke i prerë fijet e kashtës në formë rombi për të realizuar dekoret e duhura.

Aplikimi i rimesos (fletë e hollë druri arre rreth 0.5-1 mm) në dru. Në këtë rast kemi dy lloje aplikimesh:

a) Aplikim i rimesos 06 m/m mbi objektin prej drurit ku dekoret vizatohen sipas modelit dhe vendosen mbi objekt me ngjitës (Vinovil) . Më tej nëpërmjet zgubjeve (vegël që gdhend drurin) bëhet gdhendja e tyre.

b) Inkasim rimeso (dekorim i rimesos me tel). Merren dy fletë rimeso të ngjyrosura dhe vendosen njëra mbi tjetrën, duke i prerë me brisk të dyja njëherazi sipas vizatimit të fletës së parë duke realizuar kështu dy dekore të njëjta. Dekori i prerë i fletës së parë montohet ekzaktësisht  në fletën e dytë. Montimi është shumë preçiz mbasi vizatimi i tyre është bërë me klishe (shabllon).