Arapët e Polenës, është një rit i maskuar, që praktikohet nga djemtë e rritur (adoleshentë) dhe burrat e fshatit. Kjo praktikë zhvillohet në 6 janar pas kremtimeve fetare për Ujin e Bekuar. Duke pasur karakteristikë maskimin, burrat maskohen si personazhe të ndryshëm. Një grup prej 10 djemsh maskohen si Arapë dhe dalin që në datën 5 janar, pasdite, nëpër fshat duke trembur e luajtur në çdo shtëpi, shesh, rrugë. Të nesërmen Arapët rimarrin lojrat pas liturgjisë fetare duke zhvilluar një shfaqje popullore në sheshin e fshatit. Aty bashkohen edhe personazhe të tjerë të maskuar, ku dallon gjithmonë nusja, dhëndri, disa dasmorë, hajduti, doktori, si dhe grupe të tjera të maskuarish që tentojnë të përfaqësojnë identitete të tjera racore si indianë, romë, arabë, etj. Si figurë e ndeshur gjithmonë është edhe deveja ose gamilja, por edhe ariu.
Shfaqja popullore ka një linjë dhe subjekt që tenton të jetë i pandryshuar, që sillet në një performance popullore nga personazhet e sipërpërmendur. Në mesin e fshatit nis të marrë jetë dasma midis dhëndrit dhe nuses, festuar nga disa dasmorë. Arapët kujdesen here pas here që dasma të shkojë sipas rregullit dhe banorët të mos e prekin apo ngacmojnë nusen as dhëndrin. Nga turma e njerzve shfaqet Hajduti, i cili do të rrëmbejë nusen. Arapët do të mundohen ta mbrojnë dhe ta rikthejnë pranë dhëndrit. Nga kjo përleshje mbeten të plagosur disa Arapë, të cilët marrin mjekim nga Doktori.
Karakteristikë e ritit është maskimi i pesonazheve. Përmes butaforive dhe mjeteve rrethanore, banorët krijojnë maskat dhe kostumet e gjithë grupit pjesëmarrës në rit. Në disa raste maskimi është i plotë, në disa raste është konvencional. Materialet e përdorura janë kryesisht rroba të vjetra dhe aksesorë të tjerë, të sajuar në përgjigje të personazhit që do të maskohet. Tipik është maskimi i Arapëve, i cili realizohet me lëkurë të bagëtive, lopës, deles, dashit, viçit. Lëkurët vendosen në trup dhe fytyrë. Në brez vendosen zile e këmborë, të formave dhe madhësive të ndryshme. Kjo bën që përveç aspektit organizativ, riti i Arapëve të përjetohet edhe si një eksperiencë aureale.