“Heromillo”, emërtimin e merr nga gjuha greke që do të thotë mulli dore me të cilin bluajmë ose thërrmojmë grurin si edhe misrin. Sipas të dhënave këta blues dore janë më të hershëm se mullinjtë me ujë. Bluarja e grurit është një praktikë tradicionale të cilën e kemi trashëguar nga prindërit brez pas brezi deri sot. Kjo praktikë ka lindur si nevojë e jetës së përditshme.
Si element “Heromillo” përbëhet nga: 2 strumbullarë guri me përmasa 50 – 60 cm në diametër dhe 10 -12 cm trashësi. Guri është një strall i veçantë dhe i fortë që përbëhet nga disa copa stralli si të salduara nga vetë natyra në një trup të vetëm. Strumbullari i poshtëm është pak më i trashë me një bosht në qendër . Mbi të puthitet srumbullari tjetër me një vrimë më të madhe në mes, ku hidhet gruri me dorë. Strumbullari i sipërm ka gjithashtu një dhëmb ku mbështet shkopin me majë me anë të së cilit rrotullojmë strumbullarin. Kështu, nga vetë pesha e gurit si dhe nga fërkimi mes dy gurëve thërrmohet dhe bluhet gruri. Kur e përsërisim veprimin disa herë mielli bëhet më i imët.
Gdhendja e dy strumbullarëve, fiksimi i boshtit dhe puthitja e tyre me preçizion, kërkon një teknikë të lartë, që vetëm një usta me eksperiencë mund ta bëjë. Në kohët më të vjetra, shumica e familjeve kishin heromillo që i porosisnin në ustallarë.
Me grurin e thërmuar gatuanim në tepsi “Byrjam” me gjalp, djathë dhe erëza, një gatim shumë i shijshëm që hahet pa bukë.
Të gjithë të krishterët ortodoksë më datën 1 Janar festojnë emrin e Shën Vasilit. Si traditë në këtë ditë të shënuar gatuajnë me grurin e thërmuar në heromillo, piten karakteristike “Vasillopita”. Gatimi kryhet me petë, grurë të thërmuar, gjalp, djathë dhe sipërfaqja lyhet me vezë për shije dhe për bukuri. Në pite vendosnin një flori dhe pasi e ndanin në thela piten dhe e rrotullonin, njerëzit e shtëpisë zgjidhnin një copë. Atij të cilit i binte monedha e floririt, konsiderohej njeriu me fat i shtëpisë për atë vit.
Thuhet se “Vasillopita” me grurin e thërmuar gatuhej edhe për një arsye tjetër: që viti i ri të kishte sa më shumë bereqet në grurë( kjo ka lidhje me kalendat e vjetra greke dhe që akoma nuk i dihet saktë burimi).
E zonja e shtëpisë kur priste Vasillopitën uronte familjen e saj: Gëzuar për shumë vjet!
(Në materialin video Gjenovefa Lazo dhe Stefo Lazo, Vrisera bashkia Dropull)