Buka me qiqra
Buka me qiqra

Gatimi i bukës me qiqra është një element shumë i rëndësishëm i ngjarjeve më shenjuese në jetën e familjeve pogradecare duke u kthyer madje në një element ceremonial. Në familjet e krishtera buka me qiqra përdoret në këto raste specifike:

Në lindjen e fëmijës. Rreth 2 javë pas lindjes së fëmijës zhvillohet ceremonia e pagëzimit të fëmijës në kishë, ku i vendoset edhe emri. Ceremonia shoqërohet gjithmonë me një darkë të madhe ku një nga elementet më të rëndësishme të gatimit është edhe buka me qiqra.

Në dasma. Në anën e dhëndrit qiqrat përgatiten të dielën nga njëra prej nuseve të shtëpisë, e cila duhej të ishte me nënë e me babë. Qiqra simbolizonte mbarësinë prandaj ziheshin dy ose tri poçe, për nusen dhe për dhëndrin. Nëse qiqra e nuses vinte më shpejt do të thotë se nusja do të ishte këmbëmbarë. Po kështu edhe për dhëndrin. Në anën e nuses qiqra zihej të mërkurën ndërsa buka me qiqër gatuhej të enjten. Uji i ngrohtë në enën ku përgatiteshin qiqrat hidhej nga një djalë me nënë e me babë. E gjithë ceremonia (gatimi i qiqrave, zënia e brumit, gatimi i bukës) ishte gazmore, me humor dhe me ngacmime mirëdashëse dhe me përkëdheli për nusen dhe dhëndrin. Ceremonia shoqërohej me këngë të posaçme si p.sh:

“Qiqër hanko, qiqëra/ Të kam bërë një rixha/ Të vish nesër më saba/ Të bëjmë bukë për pasha/ Se martojmë djalënë/ Neve bukët do t’i bëjmë/ Në daç jak, në daç mos jak/ Rri mendoju edhe pak/ Në daç haj, në daç mos haj/ Rri mendoju gjer pastaj.”

Buka me qiqra është pjesë e rëndësishme edhe e ritualeve pas dasmës, si p.sh kur krushqit vinin në shtëpi të shihnin nusen ata duhet të sillnin me vete bukë me qiqra të ngjyer në mjaltë.

Për Pashkë. Buka me qiqra bëhet gati përpara ditës së Pashkës. Në mes të saj vendoset një vezë e kuqe.

Për Bajram. Në familjet myslimane buka me qiqra përdoret kryesisht për Bajram dhe në mes të saj vendosej pak hallvë.