Dasma është një traditë shumë e veçantë, e cila ruhet dhe praktikohet brez pas brezi. Fusha e këtij elementi përfshin praktikat sociale, ceremonitë festive, ritualet dhe shprehitë gojore. Momenti kur dy individë kurorëzojnë dashurinë e tyre shoqërohet me disa rituale specifike që praktikohen paraprakisht dhe gjatë dasmës. Ceremonia e hapjes së gëzimit familjar quhet “shkelkat” (ku kërkohet dora e vajzës). Familjarët e dhëndrit shkojnë tek familja e vajzës me “peshqeshe”(dhurata) dhe ëmbëlsira për të kërkuar dorën e saj. Familjarët e dhëndrit (krushqit) duhet të jenë në numër tek (7-9) persona) simbol kjo i krijimit të një çifti bashkë me nusen. Familjarët e vajzës kthejnë më pas vizitën tek dhëndri dhe krushqit janë në numër çift (8-10) persona, e cila simbolizon dhënien e vajzës tek familja e djalit. Më pas bëhet përcaktimi i datës së dasmës. Dy javë para dasmës “pritet paja”. “Paja” është përgatitja që bën dhëndri me veshje të ndryshme për nusen përfshirë këtu dhe fustanin e nusërisë.
Dasma nis ditën e hënë tek familja e vajzës dhe tek familja e djalit, e shoqërohet me këngë dhe valle. Ditën e mërkurë përgatitet buka me qiqër, tek të dyja familjet si simbol i mbarësisë dhe kriijmit të familjes. Gjithashtu ditën e mërkurë përgatitet dhe bakllavaja si një ëmbëlsirë karakteristike. Ditën e enjte dy burra nga familja sjellin pajën e nuses dhe fustanet e nusërisë dhe marrin pajën që ka përgatitur nusja për tek familja e burrit. Dasma kryesisht zhvillohet në të dyja familjet e ndara. Tek familja e nuses dasma zhvillohet ditën e shtunë. Nusja përgatitet, vesh fustanin e bardhë dhe në mbrëmje fillon festa me familjarët dhe të ftuarit e saj. Festa shoqërohet me këngë dhe valle, saze dhe në shumë familje këndohen këngë karakteristike nga vetë gratë e familjes me iso. Dasma hapet nga kryetari i familjes, i cili është dhe babai i nuses, duke i falenderuar të ftuarit për pjesëmarrjen e tyre. Më pas babai bën kërcimin e parë me vajzën e tij. Në mesin e dasmës, para mesnatës vijnë në dasmën e nuses krushqit, bashkë me dhëndrin. Krushqit marrin nusen në valle dhe më pas largohen. Nusja është e veshur me fustan të bardhë, ndërsa dhëndri paraqitet me veshje të zakonshme. Krushqit largohen nga dasma në mesnatë. Ditën e dielë përgatitet dasma tek familja e dhëndrit. Në mëngjes herët përgatiten petulla për djalin që do martohet dhe u shpërndahen dasmorëve. Disa burra nga familja ndihmojnë dhëndrin për t’u përgatitur për dasmë, si prerja e flokëve dhe heqja e mjekrës. Djalit i këndohen këngë dhe i hidhen lekë.
Kënga: Fryu era na i solli, këtë berberin nga Stambolli,
Në e prefsh more berber, bëja faqet me sheqer.
Më pas të gjithë krushqit bashkë me dhëndrin nisen për të marrë nusen. Burrat dhe dhëndri qëndrojnë në dhomë të ndarë nga gratë dhe nusja. Dhëndri dhe krushqit burra, shkojnë tek dhoma e nuses, e “darovitin” (I japin dhurata, lekë) dhe dhëndri i vendos unazën. Nuses i vendosin stoli duke i kënduar.
Kënga: Portokalli në dorë, limua në xhep,
Varësen që ta solla, ta mbash me shëndet!
Në momentin që nusja del nga dera e shtëpisë, thyen një gotë me ujë. Nusja shoqërohet për krahu nga një i afërm deri në momentin që e merr dhëndri dhe nisen. Në momentin e nisjes, rruga spërkatet me raki, si dhe u hidhet oriz, karamele dhe monedha. Tek shtëpia e dhëndrit, nusja pritet me këngë dhe valle. Nusja tek porta copton një bukë me qiqër dhe ua shpërndan të ftuarve dhe familjarëve të burrit. Vjehrra sjell një pjatë me mjaltë dhe nusja lyen cepat e portës, si simbol i mbarësisë e që ti shkojë jeta e ëmbël. Nusja vendos një lek në këpucën e saj dhe një nga fëmijët në shtëpinë e dhëndrit i heq këpucën dhe i merr lekun. Më pas nis festa me këngë dhe valle tek dhëndri, ku kërcejnë së bashku. Nga ana e nuses vijnë krushqit, qëndrojnë disa orë dhe më pas largohen.