Dasma Zadrimore zhvillohet sipas traditave dhe ritualeve, të cilat i listojmë më poshtë :
Leçia (shpallja e martesës nga prifti) 2 javë para marteses në kishë.
Disa ditë më parë (të mërkurën në mbrëmje) diskutohet nga fisi organizimi i dasmës, vendoset se cilët do të jenë thirësat që do ftojnë miqësinë nga ana e babës dhe nënës.
Të shtunën paradite çohet dhentia (dhuratat) tek shtëpia e nuses dhe merret paja.
Të shtunën mbrëma fillon nata e dasmës, kënga dhe hareja.
Të dielën e dasmës mblidhen kushërinjtë, të afërmit, miqësia dhe bëhen gati për të marrë nusen, ku paraprin kushëriri më i vjetër, mbas tij daja dhe të gjithë njerëzit sipas vendit të caktuar që tek shtëpia e djalit nga i zoti i shtëpisë.
Mbasi krushqit mbërrijnë tek shtëpia e nuses, njerëzit ma të afërm të saj, iu dalin përpara të rreshtuar duke i takuar. Ndërkohë nga njerëzit e përcaktuar që më parë, u nxiret duhan e raki dasmorëve e më pas ata sistemohen në sofrat e paracaktuara për ta.
Në sofër qëndrohet derisa bëhen nderet e fjalët e rastit.
Krushq e dasmorë nuk kanë të drejtë të këndojnë gjersa të hipi nusja në kale (makinë).
Miku përcjell miqësinë, dorëzon nusen dhe atëherë nusja hipën në kalë bashkë me xheverin (një djalë jo më shumë se 12 vjeç).
Babai i nuses thotë “Përhajr” dhe i drejtohet krushkut “O mik, fillo kangën tesh” / “Gjer dje ka qenë e Zotit dhe e jemja, sot asht e Zotit dhe e jotja“.
Vjehrri i nuses u nxjerr duhan e raki përcjellësve dhe dasmorët nisen rrugës me këngë të nalta, të tërthorta.
Pranë shtëpisë së dhëndrit nusja pritet me këngën e grave dhe të burrave bashkë. Ajo zbret nga kali dhe xheveri kalëron kalin. Nusja futet brenda dhe njerëzit kthehen në sofra sipas vendit të tyre dhe vazhdojnë me këngë (dasmash, humoristike) dhe valle.
Duke u afruar fundi i dasmës gratë dalin përjashta dhe këndojnë këngën “2 dele 300 pare, (filani) del në valle” duke i thirrur të gjithë burrat që janë në sofra.
Mbasi ngrihen të gjithë fillon vallja e nuses. Mbas valles së nuses dasmorët urojnë me urime të përzemërta çiftin e ri dhe kështu mbyllet dasma zadrimore.
Krushq e dasmorë të dasmës zadrimore janë të veshur me kostumet tradicionale zadrimore. Veshjet zadrimore janë ndër më të bukurat në vendin tonë, ku dominojne ngjyrat e gjalla dhe optimiste,e kuqja e verdha dhe jeshilja. Këmishat harkate të nuseve, të punuara me shumë finesë, me mëndafsh të bardhë dhe të verdhë ,me qazat e qëndisura me zogj dhe figura të kombinuara rrombike, me mëndafsh, kanë shumë fantazi dhe art. Jeleket me sumbulla ,boçet me shumë kolorit, fodullet e punuara artistikisht me serm dhe ar, gjerdani dhe kurora me florinjë, unazat,rizat, thuajse transparente me atë punim aq artistik, flasin për shpirtin krijues dhe finesë të grave dhe vajzave artizane zadrimore. Veshjet e burrave janë më serioze, me çakçirë të bardhë të qendisur lehtë ne fund tek këpucët dhe xhepat,me brez më të shkurtë se të grave, me jelek vishnje ose xhurdi të bardhë, ku dominojne thakët, tegelat e zez dhe kësula e bardhë. Më të bukura se të gjitha janë këngët dhe vallet zadrimore që shquhen për melodi të larmishme, të ëmbël, optimiste dhe të shtruar, të cilat janë kajmaku i dasmës zadrimore.