Festa e Lakrorit është një manifestim tradicional i trashëguar brez pas brezi në qarkun e Korçës. Fokusi i kësaj feste është ushqimi tradicional korçar, ai i lakrorit me dy petë, i pjekur në saç. Kjo festë zhvillohet me qëllim ruajtjen e vlerave të kulinarisë në këtë qark, si dhe promovimin e saj për turistët vendas dhe të huaj. Festa organizohet nën kujdesin e Bashkisë Korçë gjatë periudhës gusht-shtator, ku mjaft amvisa vendase përgatisin me dhjetëra lakrorë me dy petë. Interesantja e kësaj feste nuk është vetëm shitja e lakrorëve, por përgatitja në mjedis të hapur, ku çdo vizitor mund të shohë sesi përgatitet e piqet në saç për t’u shijuar më pas, lakrori i tij. Festa zhvillohet kryesisht në mjediset rurale të qarkut të Korçës, kryesisht në fshatrat Polenë, Voskopojë, Boboshticë, etj.
Në përgatitjen e lakrorëve marrin pjesë gra, vajza dhe burra, kryesisht nga fshati Polenë, të cilët gatimin e lakrorit me dy petë në saç, e kanë të trashëguar që nga gjyshet e stërgjyshet. Petët hapen me okllai në jastragaçose në tavolinë druri. Rreth 10 amvisa hapin petë dhe përgatin lakrorët, 2 burra merren me përgatitjen e saçit dhe zjarrin dhe 2 të tjerë me pjekjen e lakrorit.
Për përgatitjen e një lakrori nevojiten: 500-600 gr miell me të cilin zihet brumi, më pas hapet peta e poshtme me madhësinë e sinisë (tepsia) ku do të vendoset. Mbi petë hidhet 1 kg gjellë (qepë dhe domate, presh dhe gjizë ose gjize dhe vezë) dhe mbi të shtrohet peta e dytë. Më pas spërkatet sipër me gjalpë dhe vendoset të piqet në saç. Saçi duhet të jetë i nxehur paraprakisht në prush dhe pasi është nxehur, vendoset sipër lakrorit për ta pjekur atë nga sipër, ndërsa në pjesën e poshtme tepsia është e vendosur mbi perustinë në zjarr. Për ndezjen e zjarrit merren shkarpa ose drunj të hollë. Pasi është pjekur lakrori spërkatet sërish me gjalpë dhe me pak ujë. Koha e pjekjes është rreth 20 min. Thuajse çdo familje tradicionale e këtyre fshatrave ka nga një saç në shtëpi, të trashëguar që nga stërgjyshet. Saçët, të cilët përdoren për të pjekur lakrorët në festë, mund të jenë përdorur si të tillë për afro 100 vjet. Kjo festë shoqërohet me këngë dhe valle popullore të zonës, si dhe me promovimin e prodhimeve të tjera vendase, si: turshi, trahana, reçel, petka, fasule, raki. Organizmi i kësaj feste shihet edhe si një alternativë mjaft pozitive për zhvillimin ekonomik të zonave rurale, pasi fitimet e saj shkojnë tek banorët vendas.