Flija përdoret në zonën e Kukësit dhe krahinat e tij, në fshat dhe qytet. Në fshatra ruhet më shumë mënyra tradicionale e gatimit.
Shërbehet kryesisht në ditë festash si, Bajrami, Dita e verës (14 Mars), Mesi i Dimrit (28 janar), në raste festash e gëzimesh familjare, në vaki (vdekje, të shtatat, të dyzetat dhe në krye të vitit pas vdekjes), gjithashtu flija gatuhet edhe për të nderuar një mik, në shenjë respekti.
Në të gjitha fshatrat e Kukësit çdo shtëpi posedon mjetet e posaçme që nevojiten për gatimin e flisë. Gatimi i flisë zgjat dy-tre orë dhe ka vështirësi në gatim, banorët thonë se angazhojnë edhe fëmijët për të mbledhur shkarpa për ndezjen e zjarrit.
Materialet përbërëse të flisë janë:
Mielli, uji, qumështi, vezët, gjalpi.
Mjetet kryesore që nevojiten për gatimin:
Saçi – zakonisht përdoren dy, njëri nxehet dhe tjetri vendoset mbi tepsinë ku po përgatitet flia e kështu me rradhë.
Sanxhaku – një trekëmbësh hekuri me lartësi 20 cm nga toka, ku vendoset tepsia
Një shufër hekuri ose listelë druri për të lëvizur saçin nga zjarri dhe për ta vendosur mbi tepsinë e flisë.
Zjarri (prush), i cili nevojitet për të nxehur saçin, për të pjekur brumin.
Flija gatuhet nga çdo amvisë ose e zonja e shtëpisë, por në këtë proces gatimi përfshihen edhe vajzat e nuset e shtëpisë.
Flija gatuhet në këtë mënyrë:
Në një enë me ujë të ngrohtë dhe kripë hedhim miellin dhe e përziejmë vazhdimisht deri sa të bëhet i njëtrajtshëm. Brumi duhet të jetë i hollë, në formën e qullit, jo i ngjeshur. Në një enë tjetër hedhim: vezë, vaj/gjalpë, qumësht dhe i përziejmë mirë. Pas përfundimit të këtyre proceseve, ndezim zjarrin për të vazhduar me pjekjen e flisë dhe mbi të (zjarr) vendosim njërin saç, i cili shërben për pjekjen e brumit të qullur, saçi tjetër shërben për lëngun me vezë. Vendosim prush në tokë, mbi të vendosim sanxhakun dhe mbi sanxhak, tepsinë për pjekjen e qullit (brumit). Tepsinë që vendosim në prush e lyejmë paraprakisht me vaj dhe më pas hedhim qullin në të, në mënyra të ndryshme sipas dëshirës së amvisës, sipër tepsisë vendoset saçi për pjekjen e brumit, pasi brumi të piqet hidhet një rend/radhë, me lëngun e vezëve. Kështu vazhdohet deri në fund të proçesit të pjekjes së flisë, një rend qull/brumë, një rend me lëngun e vezëve.