Gjama e Dukagjinit është një rit mortor shumë i vjetër, i trashëguar në breza, i përdorur për të nderuar emrin e të vdekurit.
Ky rit ose dok mortor në disa raste është quajtur edhe vallja e vdekjes, ku njerëzit nëpërmjet këtij riti, para njeriut që kanë humbur, janë bashkuar për ta nderuar dhe për t’u betuar për të përcjellë amanetin dhe virtytet e tij, ose edhe për të marrë hakun, kur ka rënë në luftë me armikun.
Në këto vende gjama e vdekjes ka shërbyer edhe si lajmërim vdekjeje në kohët kur mungonin mjetet e komunikimit.
Sipas studimeve dhe gojëdhanave, riti apo zakoni i Gjamës së Dukagjinit e ka prejardhjen nga koha kur vdiq prijësi i shqipëtarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Princi Lekë Dukagjini me princat e tjerë, nga hidhërimi për vdekjen e kryetrimit Gjergj Kastrioti, vajtuan me za të lartë, rrahën gjoksin, shkulën flokët dhe u gjakosën.
Ky rit u pasurua me një koreografi të veçantë që është përcjellë dhe pasuruar nga brezi në brez. Në këtë rit të vjetër nuk shfaqet dhunë apo gjakosje.
Grupi i gjamatarëve duhet të jetë jo më pak se 10-vetë, të cilët duhet të jenë meshkuj në moshë madhore, të përzgjedhur në bazë të vokalit të tyre, siç kuptohet dhe nga vetë emri “Gjamë burrash”. Sa ma shumë burra të marrin pjesë në gjamë, aq më shumë respektohet i vdekuri.
Si zhvillohet Gjama ?
Thirrja e parë imiton gjamën e maleve kur bjen rrufeja. Prijësi që drejton gjamën ka përgjegjësinë në çdo detaj. Kur i vdekuri është i gjinisë mashkull, gjama mund ti bëhet në çdo moshë. Kur e vdekura është e gjinise femër, gjama i është bërë vetëm njëherë nga gjinia (familja, fisi) e saj.
Teksti i gjamës përmblidhet në një thirrje duke unifikuar zërat, p. sh. nëse i bëhet nipit, thuhet: O i mjeri nipi i jem! Nëse i bëhet mikut: O i mjeri miku i jem, e nëse i bëhet kojshisë: O i mjeri vllau i jem!
Çdo fis apo fshat që ka ardhur në ceremoninë mortore, ka pas të drejtën të bëjë gjamën e tij.
Gjama ka ruajtur edhe uniformën e veshjes. Në shumicën e rasteve është përdor Guberja e zezë me tufa.
Ky rit u ndërpre pas viteve ‘45 pasi u ndalua nga regjimi komunist, duke e quajtur si një zakon prapanik dhe më pas rifilloi pas viteve ‘90-të e deri në ditët e sotme.