Hyrje
Trashëgimia Kulturore Jomateriale (TKJM) është e pranishme në jetën e përditshme të njerëzve, duke përfshirë të gjitha format e veprimtarisë së tyre. Si elemente apo dukuri të kësaj trashëgimie mund të renditen: njohuritë për aftësimin në zeje të ndryshme, teknika të artizanatit dhe dijebërjes, artet e spektaklit si këngë, valle, melodi të krijuara nga populli, folklor i folur si poezi, proverba, përralla, legjenda, traditat dhe zakonet, lojrat popullore, ritualet, gatimet tradicionale, si dhe gjuha si mjet për transmetimin e informacionit. Me “Trashëgimi Kulturore Jomateriale” kuptohen edhe praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë dhe dijebërja-si dhe veglat, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore që i bashkëshoqërojnë ato, ku bashkësitë, grupet dhe kur është rasti individët, i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo trashëgimi, përcjellë brez pas brezi, është rikrijuar në vijimësi nga bashkësitë dhe grupet në funksion të mjedisit, të ndërveprimit me natyrën dhe historisë së tyre. Ajo u jep një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie, duke ndihmuar kështu për nxitjen e respektit për diversitetin kulturor dhe krijimtarinë njerëzore.
Trashëgimia Kulturore Jomateriale përfshin dukuri të cilat ruhen, gjallojnë, por dhe ndryshojnë duke ruajtur thelbin e tyre në dinamikën e zhvillimeve shoqërore nga një brez në tjetrin. Kjo trashëgimi ka shumë forma dhe mund të marrë karakteristika nga fshati fqinj, po aq lehtë sa nga ana tjetër e kufirit shtetëror. Ajo e fiton forcën e saj nga komunitetet, të cilët nëpërmjet saj transmetojnë njohuri, aftësi dhe praktika. Janë vetë komunitetet që përcaktojnë vlerën dhe rëndësinë e saj.
Sipas “Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, UNESCO, Paris-2003, kjo trashëgimi shfaqet sidomos në fushat e mëposhtme:
a) traditat dhe shprehjet gojore, përfshirë këtu edhe gjuhën si vektor i trashëgimisë kulturore jomateriale;
b) artet e shfaqjes (spektaklit);
c) praktikat sociale, ritualet dhe ngjarjet festive;
d) njohjet dhe praktikat lidhur me natyrën dhe gjithësinë;
e) dijebërja lidhur me artizanatin tradicional.
Aktualisht 180 shtete e kanë ratifikuar këtë Konventë. Qëllimi i saj është të promovojë identifikimin dhe ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, të nxisë inventarizimin, studimin, mbajtjen gjallë dhe transmetimin e saj ndër breza.
Shqipëria e ratifikoi këtë Konventë me Ligjin Nr. 9490, datë 13.3.2006 “Për ratifikimin e Konventës për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, Paris 2003”. Ministria e Kulturës është përgjegjëse për respektimin dhe implementimin e saj në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me një rrjet multisektorial operatorësh dhe institucionesh të fushës.
Informacion në lidhje me inventarizimin e TKJ
Ky regjistër është një mjet që mund të përdoret për të identifikuar, përshkruar dhe transmetuar njohuri rreth TKJ. Ai mund të përfshijë traditat dhe njohuri të përhapura gjerësisht dhe zakone të grupeve më të vogla lokale.
Regjistri i materializuar në këtë faqe, ofron mundësinë për të mbledhur informacione të reja rreth TKJ në Shqipëri. Duke qenë interaktiv, ai u ofron komuniteteve të ndryshme një mundësi për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre. Në të njëjtën kohë, ai është një mundësi për mbrojtjen e diversitetit kulturor të TKJ. Regjistri është një dokument i gjallë që plotësohet dhe përditësohet vazhdimisht. Puna që kemi filluar është vetëm në fazat fillestare, pasi kjo lloj trashëgimie është e pafund dhe vazhdimisht në zhvillim.
Elementët, të cilët janë bërë pjesë e këtij regjistri, janë mbledhur nga komunitetet, duke filluar nga korriku i vitit 2021 dhe tashmë inventari përmban mbi 90 elementë!
Ky korpus elementesh u krijua në kuadër të projektit “Inventarizimi i TKJ me bazë në komunitet në Shqipëri, me synim ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm”, (2020-2022), në 3 rrethet pilot Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër.
Elementet e përfshira janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe duhet të përditësohen çdo 5 vjet.
Sipas Konventës , UNESCO mban dy lista specifike, si dhe një regjistër të praktikave të mira të mbrojtjes së TKJ në rang botëror. Qëllimi i listave dhe i regjistrit është ruajtja dhe promovimi i TKJ si dhe përhapja e praktikave më të mira ndërmjet vendeve.
Një nga elementët e këtij inventari, iso-polifonia shqiptare (Albanian Folk Iso-polyphony) u regjistrua në “Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit” të UNESCO-s në nëntor 2008.
Elementi i dytë i TKJ shqiptare që kandidon për në këtë listë, dosja e të cilit u dorëzua në UNESCO në vitin 2021, është “K’cimi i Tropojës”
Aplikim tjetër kombëtar i paraqitur në UNESCO nga Shqipëria më 2021 është “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale dhe format e përdorimit të saj”, element i cili kandidon për në “Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente”.
Ndërsa për vitin 2022, sapo është paraqitur dosja: “Transhumanca – lëvizja sezonale e tufave”, në kuadër të aplikimit me grupin e shteteve palë: Spanjë, Francë, Itali, Austri, Greqi, etj.
Në fazën e përgatitjes është dosja “Moti i Madh – Ritet e Pranverës”, rituale të komunitetit Arbëresh të Italisë, të cilat gjenden dhe në Shqipëri. Kjo dosje planifikohet t’i paraqitet UNESCO-s në një aplikim të përbashkët nga Italia dhe Shqipëria.