Inventarizimi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Pse bëhet inventarizimi i trashëgimisë jomateriale?
Nenet detyruese në Konventën e UNESCO-s, Paris-2003, përfshijnë inventarizimin e TKJ në nivel kombëtar. Kjo do të thotë se vendet që kanë ratifikuar Konventën duhet të identifikojnë dhe përcaktojnë elementët e ndryshëm të TKJ të pranishme në territorin e tyre në bashkëpunim me komunitete, grupe dhe në disa raste individë.
Procesi i inventarizimit në Shqipëri identifikon trashëgiminë kulturore jomateriale në vend, duke e bërë atë më të dukshme në publik, njeh vlerën e saj si burim i diversitetit kulturor, zhvillimit të qëndrueshëm, shprehjes së krijimtarisë njerëzore, mjet për nxitjen e shkëmbimit kulturor dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve dhe për afrimin e tyre me njëri-tjetrin. Regjistri i TKJ në Shqipëri, udhëhiqet nga Ministria e Kultures e cila është gjithashtu, administratore e kësaj platforme.
Ky regjistër u ofron komuniteteve një platformë përmes së cilës ata mund të nxjerrin në pah trashëgiminë e tyre, duke filluar nga fenomenet më të vogla lokale deri tek elementët kombëtarë në shkallë të gjerë.
Regjistri ka tashmë 100 elementë nga komunitete të ndryshme të tri qarqeve të vendit: Korçë, Shkodër dhe Gjirokastër. Ai përdoret gjithashtu për të mbledhur praktika të mira, d.m.th. projekte, praktika dhe metoda që janë gjetur të jenë efektive në mbrojtjen e TKJ. Si administrator i këtij regjistri, Ministria e Kulturës ka të drejtë të kërkojë shtesa dhe sqarime në elementet e propozuara. Ministria e Kulturës nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale vendos se cilët elementë do të bëhen pjesë e Regjistrit Kombëtar. Më tej elementë pjesë e këtij Regjistri mund të propozohen për tu bërë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit; Vendimi, se cilët elemente do të propozohen, merret nga Ministri i Kulturës, bazuar në propozimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Sipas rregullave të Konventës, shtetet anëtare mund të bëjnë jo më shumë se një propozim në vit. Përveç kësaj, është e mundur të jesh pjesë në rastet e paraqitjet e dosjeve shumëkombëshe. Propozime mund të bëhen edhe për tu bërë pjesë e Regjistrit të Praktikave të Mira Mbrojtëse të UNESCO-s.