Isopolifonia
Isopolifonia

Isopolifonia shqiptare është pjesë e muzikës tradicionale popullore shqiptare. Si e tillë ajo është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s.

Katër krahina të Shqipërisë së Jugut: Labëria, Çamëria, Myzeqeja dhe Toskëria  e kanë këngën polifonike pjesë të kulturës së tyre.

Labëria është veçanërisht e njohur për këngën me shumë zëra, e cila mund të përbëhet nga dy, tre ose katër të tillë. Këngët me dy zëra këndohen vetëm nga femrat, ndërsa këngët me tre zëra mund të këndohen nga burra dhe gra. Gjithsesi specialiteti i Labërisë është kënga me 4 zëra. Këngët me katër zëra janë forma më komplekse e isopolifonisë.

Mendohet se në fillimet e saj, muzika tradicionale polifonike shqiptare, është krijuar dhe kënduar vetëm me dy linja melodike: Marrësi dhe Pritësi. Ky i fundit ka të ngjarë të ketë luajtur fillimisht një rol jospecifik melodik, një stil që mund të gjendet ende në të kënduarit polifonik me dy zëra të grave të Labërisë. Me kalimin e kohës Pritësi është përcaktuar melodikisht më saktë. Tradita e dyzërëshit, në të cilën Pritësi luan një rol melodik të përcaktuar qartë, gjendet sot tek këngët e burrave të Labërisë.

Zëri i radhës që ka evoluar në polifoninë tradicionale shqiptare mendohet se ka qenë Mbajtësi, i cili duket se është përshtatur natyrshëm me dy linjat e mëparshme melodike, duke i hapur rrugë polifonisë trezërëshe. Prezantimi i Mbajtësi-t ishte një arritje e rëndësishme artistike pasi solli larmishmëri dhe pasurimin e ndërveprimit harmonik midis linjave melodike. Mbajtësi është shumë i zakonshëm në traditën e sotme polifonike shqiptare.

Linja e fundit melodike që evoluoi në polifoninë tradicionale shqiptare ishte Hedhësi, me prezencën e së cilit lindi edhe polifonia me katër zëra. Prezantimi i Hedhësi-t shënoi një rrugëtim në rritje të isopolifonisë, ndonëse në thelb, ai  nuk e ndryshoi harmoninë dhe ndërveprimin vokal të këngës. Isopolifonia 4-zëshe këndohet vetëm në krahinën e Labërisë dhe mungon në këngët e Toskërisë, Myzeqesë dhe Çamërisë.