Kënga devollite është gjinia bazë e këngës që praktikohet në zonën e Devollit. Ajo është e pranishme gjatë gjithë kohës dhe në çdo event, qoftë ky familjar apo edhe në raste festash ose spektakle të ndryshme.
Kënga devollite është pjesë përbërëse e iso-polifonisë toske, ku përfshihen dhe zonat që shtrihen në të djathtë të lumit Vjosë, deri në Shkumbin. Kjo përfshin rajonet: Përmet, Leskovik, Kolonjë, Mokër, Opar, Skrapar, Myzeqe, Shpat, Librazhd, Gramsh, Berat, Korçë dhe Devoll.
Kjo këngë ka specifikat e iso-polifonise: ka një solist (marrësi), një këngëtar që bën prerjen e këngës (prerës), si dhe iso-ja( ka emërtime te ndryshme si: zjen ose mbajnë kaba, etj.) që mbahet nga i gjithë grupi, prezent në momentin e interpretimit.
Këto këngë këndohen si nga burrat, edhe nga gratë, por edhe së bashku (të dy gjinitë). Ato në disa raste shoqërohen edhe nga instrumente muzikorë, të cilët imitojnë strukturën e vokalit; marrësi është klarineta, prerësi është fyelli ose violina dhe ison e plotëson llauta. Në përbërje është edhe dajre-ja, si instrument ritmik.
Kënga devollite ka një cilësi të veçantë. Pavarësisht karakterit të saj (që mund të jetë lirik ose liriko-epik), ajo është shumë dinamike, me një ritëm të brendshëm dhe krijon një atmosferë vërtet interesante.
Në historinë e vet, kënga devollite ka emra të shumtë lëvruesish e praktikuesish, të cilët i kanë dhënë asaj shkëlqimin dhe famën që gëzon sot. Vlen të veçojmë: Nevruz dhe Ali Kondi nga Vranishti, Xha Kaso dhe Zaloja i Poloskës, Ibrahim Xhako, Xhezair, Nefail dhe Abil Cani nga Mirasi, dhe tani “Grupin e Këngës Devollite” me në krye Endri Fifon, që ka meriten për mbajtjen gjallë, njëkohësisht edhe përpjekjet për ta përçuar tek të rinjtë këtë vlerë të rrallë të trashëgimise sonë.
Përsa i përket krijimtarisë vlen të përmendim këtu disa prej perlave të këtyre këngëve si: “Te plepi i Bilishtit”(duhet teksti i kenges) një këngë së cilës, si fjalët, ashtu dhe melodia dhe prerja, i japin përmasa madhështore. Vatra ku kjo këngë mori zhvillimin e saj, është fillimisht fshati Vranisht. Aty ishin edhe korifejtë e parë të kësaj kënge. Kemi dhe këngë të tjera si: ‘Zunë yjet po rrallojnë”, “Djemkat na ngrenë dolli”, “Çupë devolleshë” e deri tek këngët e interpretuara nga Endri Fifo dhe grupi si: ”Ku je nisur do veç ti?”, etj. Është për të ardhur keq që këngët e kënduara nga gratë (femrat) janë drejt zhdukjes. Mund të përmendim këtu këngëtare si: Ferzilet Malelli, etj. që kanë lënë gjurmë tek dëgjuesit. Ka përpjekje për ta ringritur Grupin e Grave, por mbase duhet edhe mbështetje nga struktura lokale dhe shtetërore.