Kënga e grave në fshatin Selo
Kënga e grave në fshatin Selo

Një nga grupet polifonike më jetë gjatë në qarkun e Gjirokastrës është “Grupi i Grave të fshatit Selo” të Dropullit të Sipërm. Këtë e dëshmon më së miri edhe mosha e pjestarëve të këtij grupi që shkon nga 60 deri në 75 vjeç.

Polifonia e këtij grupi simpatik ka tërhequr vëmëndjen e etnomuzikologëve, jo vetëm sepse është pjesë përbërëse në folklorin e minoritetit grek, por se avazet e këtyre grave janë me motive shumë të lashta dhe të pasura me element, struktura e varianteve melodike tipike dhe të kultivuara gjerësisht në këtë zonë.

Pjesë përbërësë të kësaj mënyre të kënduari janë; marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja, zëra të cilat harmonizohen tek melodia, teksti, karakteri dhe delikatesa femërore. Këto struktura dhe melodi i gjejmë të shtrira dhe përhapura me pak ndryshime në tre zonat e minoritetit grek në Gjirokastër, në Dropull të Sipërm, të Poshtëm dhe në Pogon.

Në pjesën më të madhe të koncerteve grupi polifonik i grave të Selosë prezantohet i përbërë prej 8 këngëtaresh tradicionale, por më herët ky numër ka shkuar shpesh deri në 10-12 këngëtarë, sidomos në rastet kur krahas këngëve isopolifonike, interpretimi i tyre shoqërohet edhe me valle të kënduara.

Kënga e Grupit të Grave Selo, nis fare thjesht nga marrësja, vazhdon e kombinuar me dyzëra duke u bashkuar me kthyesen dhe zhvillohet më tej me tre-katër zëra, ku krahas isos shquhet një zë i veçantë vibrues gryke i hedhëses. Motivi i thjeshtë muzikor zakonisht ka një ndërtim monostrofik, strofë pas strofe, por në disa raste ndodh që një strofë shoqërohet me refren, i cili i bashkangjitet marrjes së parë duke u përsëritur strofë pas strofe.

Gratë e Selosë nuk këndojnë vetëm në koncerte, por edhe në evente familjare si dasmat, fejesa, ditëlindje, ditë të emrave dhe shënjtorëve, pagëzime, etj. Në repertorin e tyre ka këngë të kurbetit, trimërie, balada, vaje, etj. Këngëtarja “lidere” dhe kryesore e grupit quhet Vasiliqi Biçuni. Pjestare të tjera të grupit janë Katina Ruxho, vjeҫ 72 , që është edhe kostumografja e grupit, Vasiliqi Biçuni vjeҫ 65, Sofia Zaho vjeҫ 71, Stavrulla Kicaqi vjeҫ 70 , Valentina Ruxho vjeҫ 60, Anastasia Kali vjeҫ 73, Elefteria Grinja vjeҫ 75 dhe Marjanthi Agora vjeҫ 69.
Grupi i Grave të Selos është një vlerë e rrallë e kulturës së kësaj zone, që i shkon për bukuri e në harmoni të plotë me vlerat e tjera të trashëgimisë të këtij fshati, rrënojat antike të Mullirit dhe Kalasë së Selosë, Urën e Vjetër me harqe dhe Kishën e bukur të Shën Thanasit të këtij fshati.

Gratë e Selosë janë përfaqësuar me shumë dinjitet në shumë festivale foklorike lokale dhe kombëtare, në veprimtari ndërkombëtare, në aktivitete lokale, në rituale apo festa të ndryshme në fshat. Ato vazhdimisht performojnë të veshura me kostumin tipik tradicional të gruas dropullite, që ka një ngjyrë blu të thellë, në dallim nga ai i nuseve, i cili ka pamje më festive dhe ngjyra më të çelura. Ky kostum tregon moshën dhe seriozitetin dhe ruhet me fanatizëm nga këto artiste. Ky është edhe një nga grupet polifonike më aktive në skenë dhe para publikut duke dhënë me dhjetra koncerte në Gjirokastër, Vlorë, Përmet e Tiranë në Shqipëri; Janinë, Konicë, Agrinjo e Athinë në Greqi; si dhe me shumë koncerte të tjera në Ballkan: si në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Serbi.

(Në materialin video: Katina Ruxho, Vasiliqi Vicuni, Sofia Zaho, Stavrulla Kicaqi, Valentina Ruxho, Anastasia Kali, Elefteria Grinja, Marianthia Agora, Selo bashkia Dropull)