Këngët e kushtrimit, ose siç emërtohen ndryshe, kangë majekrahu, janë këngë pa shoqërim instrumental. Ato janë nga elementet më të vjetra të trashëgimisë jomateriale, që malësorët kanë manifestuar në dasma, në festa, në gëzime, në bjeshkë, etj.
Këto këngë janë kënduar edhe në raste thirrjesh dhe përgjigjesh, nga zona në zonë qysh në kohën e luftërave, për t’u marrë vesh me njeri-tjetrin, pa u kuptuar nga armiku.
Karakteristikë e këtyre këngëve është zëri brilant i këngëtarit që e nis thirrjen dhe menjëherë përcillet nga këngëtari tjetër duke unifikuar zërat në një të vetëm.
Përmbajtja e këtyre këngëve është një përmbledhje e shkurtër në tre ose katër rreshta nga tetë rrokje e një historie apo trimërie të përmendur. Këto fjalë janë shkëputur nga rapsoditë e krijuara nga vetë populli i këtyre zonave.
Shembuj tekstesh të këngëve të kushtrimit :
“AI PAL GJOKA SHKOJ TE DAJA,
VALLË KU RRIN SULEJMAN AGA,
N’KODËR T’KIRIT NËN DO ÇADRA…”
(tregon qëndresën e Dukagjinit në luftë me otomanët)
“LIDHI SHALA BESËN
N’AT SARAJ PO VDESIM
TROJET KURRË SI SHESIM…”
“Ç’JANË KTO GJAMË SI PO I BJEN ERA,
LUFTË PO BAJNË RUGOVA E PEJA,
SE LAMË TJETER SHKJAUN TE DERA…”
Gjithmonë kënga e kushtrimit e ka hap (e ka çelur) dhe e ka mbyll dasmën. Kur ka ardhë nusja asht këndue këngë kushtrimi. Kur ka fillue dasma janë thanë fjalët e urimit me raki dhe pastaj asht këndue kanga e majekrahut nga një vendas, ku dhe asht hjek duvaku i nuses. Kanga e kushtrimit gjithmonë e ka pas rendin e para, e ma pas lahuta. As rakia nuk asht çue pa u këndue kanga e majekrahut, pastaj ka fillue ngranja e bukës.
Kjo këngë tradicionale ka udhëtue brez mbas brezi deri në ditët e sotme, kur është simbol gëzimi, pajtimi dhe bashkimi. Ky himn është modelimi më i moçëm artistik i kohrave të lashta historike që pati në këto treva.