1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Kënga qytetare shkodrane
Kënga qytetare shkodrane
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Kënga qytetare shkodrane
Kënga qytetare shkodrane

Kënga Qytetare Shkodrane ka lindur dhe është zhvilluar në qytetin e Shkodrës, në rrethana dhe zhvillime të caktuara historike. Kjo këngë në rrjedhën e shekujve ka fituar tipare të përcaktuara me një fizionomi origjinale përsa i përket gjuhës muzikore, tekstit poetik dhe mënyrës së interpretimit.

Këto këngë fillimisht të krijuara nga artistë të talentuar, nëpër vite janë asimiluar nga  populli. Në Këngët Qytetare Shkodrane bëjnë pjesë këngët e Ceremonialit të dasmës dhe Ahengut qytetar. Gjithashtu ka edhe disa këngë të tjera si: këngët mitunore (“Nina nana”), këngët e fëmijëve (“Mirëdita për kollana”), etj. Në shtresimet më të hershme janë këngët e dasmës ose vallet e kënduara. Në shumë raste këto këngë janë kënduar edhe në festimet e shtregullave (shilarëse që vendoset poshtë një peme të madhe), shetitje, gëzime shoqërore dhe familjare, etj.

Në aspektin e interpretimit, Këngët Qytetare Shkodrane këndohen në grup, por ndërmjet tyre ka edhe këngë solistike që janë kënduar nga këngëtarë me aftësi të veҫanta vokale. Kryesisht këngët e ahengut, që i përkasin marrëdhënieve të veҫanta me kulturën orientale, janë shoqëruar me formacione instrumentale, që në faza të ndryshme janë pasuruar me instrumenta që i janë përshtatur asaj muzike (klarineta, violina, kitara, fizarmonika, kontrabasi, etj.)

Këto këngë jetojnë në një lidhje të fortë shpirtërore me popullin që është bartës i saj. Pavarësisht se vetë qyteti ka pësuar shumë ndryshime në aspektin urban, mënyrat e komunikimit dhe në jetën sociale ajo vazhdon të pasurohet me krijime të reja, që në përmbajtje i përgjigjen këtij realiteti.

Korpusi i Këngës Qytetare Shkodrane (Kliko këtu)