1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Kënga vllahe në...
Kënga vllahe në Drenovë
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Kënga vllahe në...
Kënga vllahe në Drenovë

Kënga vllahe, arumune e grupit të Drenovës, konsiderohet si një nga praktikat e të kënduarit shumëzërësh me iso të Shqipërisë së Jugut, e njohur ndërkombëtarisht si iso-polifoni dhe vlerësuar nga UNESCO si “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” 2005.

Repertori i tyre nga viti 1978, tregon se janë bartës që e zotërojnë këngën me mjeshtëri të lartë artistike. Nga më i moshuari, 86 vjecari Aleks Mihallari, deri tek më i riu, Thanas Tona, 64 vjec, brenda peizazhit multikulturor, krijuar që nga periudhat bizantine e osmane, paraqesin hapësirën që ka zënë muzika në kulturën e tyre. “Po s’rrojte me këngë, ç’e do të rrosh”, thotë Spiro Gramozi, një këngëtar i spikatur prej 45 vjetësh.

Megjithese shteti diktatorial nuk i njohu si komunitet, grupi bashkëjetoi me hapësirën e iso-polifonisë toske të krahinës së Korçës. Kënga vllahe këndohet nga burrat dhe gratë. I pari merr melodinë, i dyti ja pret duke e përcjellë dhe zgjatur mendimin muzikor, kurse të tjerët mbështesin me iso, tingull i mbajtur (ostinato). Këndimi bëhet në afërsi, me zë gjoksi dhe çdo fund vargu ka kulminacion, me tre shtresa muzikore. Në raste të veçanta, shoqërohen dhe me saze dhe përmbajtja e teksteve është e larmishme si: këngë vaji, balada, këngë trimërie, historike, dasme, rituale etj. Brenda grupit, veç vllehëve, ka edhe bartës të polifonisë toske, që bashkeinterpretojnë, pa prishur identitetin dhe karakteristikat e këngës vllahe.