Kostumi i zonës së Dardhës.
Veshja e grave të kësaj zone karakterizohet nga fustani në ngjyrë vishnje. Materiali është prej cope të plotë, në mënyrë që kur të vishet, të rrijë kreko.
Fundi i fustanit është i zbukuruar me shirita njëngjyrëshe kadifeje të zezë. Në pjesën e gjoksit ai është i zbukuruar me kadife të zezë dhe oje (fryt) të bardhë, e cila është e qendisur me grep ose me gjilpërë dhe i jep hijeshi fustanit. Ky fustan ka jakë të vogël kadife të zezë.
Nje element tjeter kryesor është xibuna (një lloj jeleku i gjatë) në material të trashë të punuar me vegël ose ndryshe avlemend, e quajtur shajak ose kashmir. Xibuna përpara gjoksit është e kompozuar me shirita ngjyrë ari dhe me motive të thjeshta. Ndërsa më poshtë anembanë si dekor ka tertir të kuq (filet) që e bën shumë sharmante kur vishet i gjithë kostumi, sepse xibuna poshtë është veref.
Përparësja (mësalla) kryesisht është në ngjyrë të zezë ose vishnje dhe zbukurimet në të janë me tertir të zi. Është material kashmir dhe punohet me vegël.
Mbi përparëse vihet edhe gajtani nga beli dhe mbahet me një kapse.
Brezi është i dekoruar me kombinime në të zezë dhe ngjyrë floriri, dhe vishet mbi mësallë. Edhe brezi është me material të trashë dhe të plotë, i punuar në vegël. Në të kaluarën brezi kishte dhe pjesë në material bronxi, në formën e dy paftave të kapura me kapse.
Një element tjetër është dhe shamija. Kryesisht në ngjyrë të zezë, dekoruar me lule të ndryshme dhe në fund me thekë të bërë me gjilpërë ose me grep.
Tjetër element janë çorapet, kryesisht të zeza në material leshi dhe në fund kanë motive me ngjyrë të bardhe dhe pak bojëqielli, në të cilat kombinohen disa rombe.
Këpucët zakonisht janë të zeza me pak takë. Këta janë elementet e të gjithë kostumit tradicional të gruas dardhare.