Kostumi i Fushës së Korçës si element kryesor ka fustanin, i cili është në material të derdhur stof të hollë. Karakteristikë e tij është prerja e belit që vazhdon me pala ose rrudha. Gjthashtu pjesa përpara e fustanit është e qendisur me fije ari dhe nëpër të ka zbukurime me temina të vogla. Mëngët gjithashtu në pjesën e supit kanë zbukurime me fije ari dhe me temina shumë ngjyrëshe.
Tjetër element që e bën të dukshëm është pjesa e mëngës e cila nga brenda saj është e hapur në mënyrë që të duket këmisha e bardhë. Fundi i mëngëve është i mbledhur me llastik, gjithashtu i zbukuruar me ngjyra të ndryshme me temina dhe me fije bojë floriri. Pjesa e fundit e fustanit është e zbukuruar me shirita ngjyra ngjyra që e zbukurojnë. Element tjetër kryesor është këmisha që vishet poshtë fustanit, në material pupline të bardhë dhe me një jakë të vogël e të bardhë që del sipër tij. Poshtë fustanit vishen gjithashtu dhe brekushet e bardha në material pupline, të cilat kapen me çorapet që arrijnë deri poshtë gjurit.
Element tjetër është jeleku. Ai është në ngjyrë jeshile në material shajak, por në tonalitet më të errët duke bërë ndryshimin nga fustani. Ka zbukurime me tertir të zi dhe shirita bojë floriri. Pjesët përpara të jelekut janë të zbukuruara me temina në ngjyra të ndryshme. Kurrizi i tij gjithashtu është i zbukuruar me shirita bojë floriri dhe tertir të zi.
Element tjetër i kostumit është mësalla prej leshi, e punuar në vegël e me ngjyrë të zezë. Karakteristikë e mësallës janë zbukurimet me ngjyra, duke krijuar lule shumëngjyrëshe në fushë të bardhë. Pjesa e fundit e saj përfundon me xhufka ngjyra-ngjyra prej leshi. Mbi mësallë vendoset brezi, i cili është prej leshi të hollë, i punuar në vegël me ngjyra-ngjyra ku më së shumti mbizotëron e kuqja. Mësalla përfundon me xhufka të gjata shumëngjyrëshe.
Element tjetër është edhe shamia që vendoset në brez mbi bel me ngjyrë të kuqe e me xhufka të kuqe të gjata.
Element tjetër është edhe shamia e kokës prej mëndafshi, ngjyrë vishnje e qendisur ngjyra-ngjyra duke formuar lule dhe përfundon me thekë ngjyrë kafe.
Elementi i fundit janë çorapet që bëhen prej akreloni ose prej leshi. Nëpër to ka motive me rombe ose vija të ndryshme.
Ky kostum ka si aksesorë këpucë të zeza dhe paftat prej bronzi, ari ose sermi që vihen mbi brez.