Lakrori me kokosh
Lakrori me kokosh

Kjo recetë i përket qytetit të Gjirokastrës dhe zonave përreth saj. Ky gatim  është trashëguar brez pas brezi për shekuj të tërë.  Njihet ndryshe si lakrori i Libohovës dhe përgatitet me mishin e gjelit, me qepë dhe petë të pjekura. Është një nga gatimet më të shijshme, i cili mbledh rreth tij të tërë familjen dhe miqtë në raste të veçanta. Lakrori mund të përgatitet edhe me mish qëngji, keci, dashi, lepur të egër.

Ky gatim bëhet kryesisht në raste festash dhe gëzimesh familjare, datëlindje, fejesa, martesa.  Përgatitja e lakrorit fillon herët në mëngjes dhe kërkon një kohë prej 3-4 orë për tu përgatitur.

Përbërësit për 4 persona

1 gjel rreth 1.5 kg, 2 kg qepë, 200ml vaj, ujë, 1 kg miell. Kripë, 300-400 ml ujë të vakët dhe piper i zi.

Përgatitja

Si fillim pastrojme me uje te rrjedhshem dhe ndajme ne copa anatomike mishin e gjelit. Me një thikë të mprehtë grijmë sa më hollë në formë rrethore qepët. Vendosim në zjarr një tenxhere të thellë dhe hedhim vajin e ullirit. Sapo vaji të jetë ngrohur hedhim qepët e grira hollë dhe më pas thelat e mishit të gjelit.  I përziejmë me një lugë druri derisa qepa të ketë marrë një ngjyrë të lehtë të artë dhe mishi do të ketë marrë një skuqje të lehtë. Tani shtojmë ujë derisa mishi i gjelit të mbulohet gjithashtu kripë dhe piper të zi për shije. E lemë tenxheren në zjarr mesatar derisa mishi të ketë zierë. Ndërkohë që mishi zien, vazhdojmë me përgatitjen e brumit për petat e byrekut. Në një tepsi ose mbi  tavolinë hedhim miellin dhe në mesin e tij hapim një gropë ku shtojmë ujin dhe pak kripë. E punojmë brumin derisa ai të lidhet. Sipërfaqja e brumit, duhet të jetë e lëmuar dhe brumi nuk duhet të ngjitet në duar. Pasi ta keni lënë të pushojë pak e ndajmë brumin në 50 kuleçë. Nisim me hapjen e petëve, të cilat pasi të jenë gati, i vendosim në një vend të thatë. 10-15 petë i pjekim në sobë dhe më pas i thërrmojmë në një tepsi që mos të dërmohen më shumë. Pjesën tjetër të petëve, pasi të jenë tharë pak, i vendosim një e nga një në tavë duke i spërkatur lehtë me vaj. Kështu kemi krijuar ‘thembrën’ e lakrorit, ose ndryshe bazën e byrekut. Largojmë thelat e mishit nga tenxherja dhe tek lëngu hedhim petat e pjekura të byrekut. I Përziejmë lehtë dhe i lemë të ziejnë derisa lëngu të mpiksët dhe të krijohet një masë e trashë. Këtë lëng e hidhim tek petat që shtruam në tavë duke treguar kujdes që të mos derdhet. Më pas shtojmë edhe thelat e mishit, të cilat  duhet t’i vendosim të përhapura njëtrajtësisht në tavë.

Bluajmë disa herë më mulli piper të zi mbi mbushjen dhe më pas e  futim për ta pjekur në furrë të nxehur me 180 gradë. E pjekim për 1 orë dhe më pas e heqim nga furra dhe e lemë të ftohet pak para se ta presim . Më parë, mishi i kokoshit mund të zëvendësohej me mish dashi. Lakrori shoqërohet me djatthë, orle kaçupi, qepë të njoma, raki etj.

(Në materialin video Sedat Ismailati, bashkia Libohovë. Tel: +355682709744)