1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Melodia me gjethe
Melodia me gjethe
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Melodia me gjethe
Melodia me gjethe

Melodia me gjethe, hyn në gjininë e pasur të veglave aerofone. Gjethja e nxjer melodinë nga vibracioni i frymës. Ndyshe ky lloj mjeti për të krijuar melodi, quhet “picanga”. Picangat mund të sajohen nga fijet e barit të trashë, me fletët e mprehta të mistrit të njomë, të cilat vendosen pingulthi midis dy gishtërinjve të mëdhenj. Duke fryrë në thep të “picangës” del tingulli. Edhe gjethet e pemëve të ndryshme shfrytëzohen për picanga. Disa fshatarë e palosin gjethen më dysh, e fusin në gojë dhe nëpërmjet gjuhës nxjerin gjithfarë lloj cicërimash. Disa mjeshtra popullorë, dinë të nxjerin nga gjethet e pemëve të ndryshme si ahu, shkoza, ara, gjithfarë tingujsh duke e kapur gjethen cep më cep dhe duke e mbajtur të tendosur horizontalish , i fryjnë në thep. Lartësia e tingullit, ndryshon sipas tensionit të gjethes dhe sipas presionit të frymës. Dikur gjethi i shermashekut bënte pjesë ndër veglat instrumentale të ahengut shkodran. Tani gjethi, përdoret kryesisht në malësitë e veriut dhe të verilindjes.

Në zonën e Dukagjinit, gjethja e pemës ose lepushtra është përdorur si instrument tradicional që në kohët e vjetra, duke shoqëruar me tingujt e saj këngët baritore, këngët e malit, shoqërimin e valleve solo, e shoqëruar edhe me fyell, lahutë ose zymare. Ky instrument, në muzikë klasifikohet me instrumentat frymorë.

Për ta përdorur si instrument është zgjedhur zakonisht gjethi i arrës ose i ahut, një fletë ose gjeth që nuk ka dhëmbëza përreth, është e drejtë dhe e rregullt. Karakteristikë e veçantë e këtij instrumenti natyror është tingulli që s’mund të imitohet me asnjë instrument tjetër. Duke luajtur me gjethe, përveç motiveve të këngëve janë imituar edhe cicërimat e ndryshme të zogjve. Karakteristikë tjetër është se nuk ka regjistër të veçantë si instrumentet e tjerë si zymarja, fyelli apo lahuta, pra mund të luash në çfarëdo lloj regjistri muzikor.