Monofonia/Logatja
Monofonia/Logatja

Logata është një ritual arkaik muzikor, një lloj mërmëritje që barinjtë e këndojnë kur janë vetëm në anë të kopesë me dhi a dhën, gjatë kohës kur bagëtia është përhapur dhe janë duke kullotur. Një lloj logatje është edhe kënga e djepit. Logatje konsiderohet në këto zona edhe “e qara me ligje” e grave në raste vdekjesh në familje, ose kur rituali vajtimor bëhet nga vajtoret (vajtojcat) në ksodhe (morte). Logatet edhe nga gratë fshatare gjatë kohës kur ato janë duke kryer disa punë të “ngeshme”, sikurse mund të jetë puna në tezgjah duke thurur qylima e rrugor, kur gruaja është duke tjerrë leshin në furkë apo në llanar, kur thur çorape apo triko me shtiza, kur mbryn brumin e bukës në magje, kur shkon gjethet e duhani në vargje, kur rreth dybekun.

Logata e burrave dhe grave zakonisht është një mënyrë të kënduari iso-polifonike, e llojit “lapçe vënçe”, por që këndohet jo në grup, por nga një person i vetëm, i cili i bën vetë të gjitha zërat e polifonisë. Në logatje, këngëtari vetë ja merr, vetë ja kthen, vetë ja hedh dhe vetë mban iso. Gjatë të kënduarit, ai kalon, nga një rol interpretues, në rolin tjetër shumë lehtësisht, “sipas qejfit”.

Teksti i kësaj mënyre të kënduari zakonisht merret nga vargjet e këngëve polifonike të njohura e të kënduara në grup, por nuk përjashtohen edhe rastet kur vargjet krijohen dhe improvizohen më momentin e këndimit nga vetë këngëtari.

Logatja është një element i hershëm folklorik, kulturor dhe artistik. Disa realizime të arrira artistikisht janë prezantuar edhe në festa, spektakle, filma artistik dhe festivale vendore dhe kombëtare. Të tilla janë; interpretimet e Zeqo Hoxhës nga Kallarati, Xhevat Avdalli nga Palortoja e Gjirokastrës, Arjan Shehu nga Dunavati i Gjirokastrës, Roland Çenko nga Shtatë krojet e Gjirokastrës, etj. Në studimet etnomuzikologjike, për logatje përdoren disa terma; “polifoni njëzëshe”, “monofoni”, “polifoni e fshehtë”, “ninullë”, “këngë djepi”, “e qarë me ligje”, “e qarë me botë”, etj. Ndonjëherë etnomuzikologët e konsiderojnë logatjen (monofoninë) si “qeliza” e parë e iso-polifonisë. Këngës njëzëshe, në rrugëtimin e saj i janë bashkuar zërat e tjerë.

(Në materialin video Roland Çenko, Gjirokastër. Tel: +355693014415)