1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Prodhimi artizanal i...
Prodhimi artizanal i rakisë së manit
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Prodhimi artizanal i...
Prodhimi artizanal i rakisë së manit

Rakia e manit është një pije tradicionale, e prodhuar kryesisht në fshatrat Boboshticë dhe Drenovë, të rrethit Korçë, e cila vlerësohet  për shijen e veçantë dhe vlerat e saj kurative.

Për nxjerrjen e rakisë së manit, mblidhen manat gjatë muajve korrik dhe gusht, muaj kur ato piqen dhe bien vetë nga pema.

Procesi fillon me mbledhjen e manave të rrëzuara, një nga një. Më pas, manat e mbledhura hidhen në një fuçi për fermentim dhe fuçitë mbulohen me disa rroba. Kjo punë zakonisht bëhet 3 herë në ditë, mblidhen manat, hidhen në fuçi deri sa grumbullohet një sasi e konsiderueshme për t’u zier. Hidhet pak ujë dhe mbyllet fuçia. Manat lihen kështu  për rreth 2 javë që të fermentohen. Gjatë kësaj kohe ato ziejnë dhe zhurma e zierjes dëgjohet nëse afrohesh tek fuçia.                                                

  Kur zierja nuk dëgjohet më, atëhere merret një enë të vogël dhe mbushet me lëngun e fuçisë. Atje futet nje aparat (alkoolometër) për të parë nëse është fermentuar lëngu apo jo. Nëse aparati ngrihet, kjo tregon se nuk ka ndodhur fermentimi, ndaj në këtë rast fuçia mbyllet përsëri. Nëse treguesi i aparatit bie dhe nuk ngrihet, do të thotë që lëngu është fermentuar. Nga eksperienca, nxjerrësit e rakisë e kuptojnë fermentimin dhe duke e provuar lëngun. Nëse është i hidhur do të thotë që është fermentuar.

Pas fermentimit, bërsia (lëngu së bashku me manat) hidhet nga fuçia në një kazan bakri, të cilin e mbulojmë dhe me kapak. Kapaku vuloset anash me brumë që të mos hyjë ajër. Brumi ndërtohet me miell dhe krunde, ose miell dhe hi, që të mos ngjitë.

Poshtë kazanit të bakrit ndizet zjarri i avashëm (ngadaltë) me dru. Kazani në anën tjetër është  i lidhur me një tub metalik (llullaja) nga i cili del rakia. Llullaja është e futur në një enë të madhe me ujë për të  bërë kondensimin e avullit dhe daljen e rakisë në formë lëngu. Nga një kazan mund  të dalë 3-3.5 litra raki. Rakia që del nga tubi derdhet në një enë të vendosur atje.

Për t’i dhënë ngjyrën rakisë së manit, mund të përdoret një gjethe molle, e mbështjellë me një napë. Ajo futet në raki dhe lihet atje gjatë gjithë kohës sa rakia del.

 Prova se sa e mirë ka dalë rakia bëhet duke tundur gotën. Nëse krijohet zinxhir me flluska  në gotë, atëhere kjo raki është e mire, pra e fortë. Nëse nuk mban zinxhir është raki e butë. Rakia e butë mund  të mbahet ashtu dhe të përdoret për ponç, ose të mblidhet në një enë më vete dhe të shtohet në bërsitë kur del kazani tjetër. Rakia që nxirret ruhet në enë qelqi.