Paja e nuses është një nga traditat më të vjetra shiptare, e cila është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Gratë e shtëpisë fillojnë të mendojnë shumë herët për sendet që vajzat do të çojnë në shtepinë e burrit. Me shumë rëndësi në një pajë i kushtohet punimeve të dorës, të cilat kërkojnë shumë kohë të përgatiten. Çarçafët, këllëfet, mbulesat, shtrojet, perdet, çentrot dhe të tjera pjesë të pajës kërkojnë jo vetëm kohë, por edhe shumë shpenzime për tu përgatitur. Paja e një nuseje mund të pasurohet me cfarëdolloj sendesh që vajza dhe familja e saj i vlerësojnë me rëndësi.
Për shumë gra të zonës së Gjirokastrës, ruajtja e traditës së pajës është një zakon i vyer që ruhet me fanatizëm. Kryesisht, paja nis të përgatitet kur vajzat arrijnë një moshë të caktuar dhe në përgjithësi janë nënat ato që kujdesen që vajzat të merren me përgatitjen e pajës. Punimet e dorës, që nusja përgatit për njerëzit e burrit kanë qenë shumë të rëndësishme në një martesë dhe janë baza e një paje. Në zonat ku tradita e pajës ruhet masivisht, punimet e dorës janë një lloj krenarie karshi vajzave dhe grave të zones ku ajo është martuar. Janë kryesisht këto punime ato që e dallojnë një pajë të traditës.
Perveç punimeve te dorës; çarçafë, këllefë, mbulesa, shtroje, perde, çentro etj, pjesë e pajës mund të jenë edhe kostume popullore. Sënduku dhe paja e nuses. Sënduku blihej nga familja e nuses me haraçin që i kish dhënë familja e dhëndrit. Ai punohej nga mjeshtrat. Sa më e pasur të ishte familje aq më i dekoruar ishte sënduku. Sënduku më i shtrenjtë ishte i punuar me lëkurë me gdhendje e perçina hekuri. Në të vendosej paja e nuses. Para se të vendosej paja qepej një pëlhurë kadifeje 1×1 metër dhe qëndisej me fije ari. Me këtë pëlhurë mbështillej paja. Në pajë vendosej kostumi popullor, ndresa, këmisha nate, fustane të punuara në tezgjah dhe sadetet e natës, shamitë dhe futat e punës. Familjet e pasura arrinin të blinin dhe fustanet me mendafsh/saten duke i blerë në dyqanet e valutës me flori. Të një rëndësie të veçantë në pajë janë çarçafët, të cilët zakonisht bëhen të bardhë për mbarësi me qëndisma të ndryshme për ti dekoruar sa më këndshëm. Ditën e enjte çohej paja te burri, e cila shoqërohej edhe me këngë dasme. Sënduku çohej me kuaj te shtëpia e dhëndrit. Paja hapej nga vjerra kunatat dhe gratë e fisit. Ajo vendosej nëpër vende që nusja ta gjente gati ditën e dielë që vinte tek shtëpia e burrit.
(Në materialin video Vjollca Mezini, Gjirokastër)