Në fshatrat Rragam dhe Sheldi toka është shumë e përshtatshme për mbjelljen e kulturës së duhanit, sepse është e pasur me të gjithë elementët e duhura që duhen për tu zhvilluar kjo bimë. Duhani i kësaj zone ka veçori, sepse rri për shumë kohë i pastër dhe nuk myket kollaj, ndryshe nga duhanet e fushës të cilët kanë rrezik mykjen nga lagështira, shiroku etj.
Fara e duhanit Sheldia është e veçantë dhe fermerët e zonës e kultivojnë 3 llojesh: fara e gjatë, e cila bën gjethe të vogla dhe shkon afërsisht gjer në 2 m lartësi, fara e mesme bën gjethe normale dhe shkon afërsisht gjer në 1.2 m lartësi dhe fara e shkurtër i bën gjethet më të mëdha dhe shkon afërsisht gjer në 60-70 cm lartësi.
Nga farat e mesme dhe farat e shkurtra prodhohet duhani më i mirë. Çdo vit mbillet e njëjta fare, e cila ruhet nga fermerët nga prodhimi i vitit të kaluar.
Një karakteristikë e duhanit Sheldia është aroma e tij karakteristike, të cilën e merr nga toka. Ajo është e veçantë dhe e dallon nga gjithë duhanët e zonave të tjera.
Një meritë të veçantë për duhanin Sheldia kanë dhe fermerët e zonës, të cilët janë profesionistë shumë të zotë në kultivimin dhe prodhimin e kulturës së duhanit.
Bashkimi i të gjithë këtyre komponentëve e bën duhanin Sheldia ndër më cilësorët në tregun shqiptar, shumë i preferuar edhe jashtë vendit.
Në zonën administative Guri i Zi është një shprehje që: “Duhani Sheldia asht duhan burrash” kjo tregon shumë edhe për cilësinë e tij.
-Një element karakterizues dhe i veçantë i zonës është dhe përpunimi tradicional i duhanit.
Mbasi kemi përfunduar proçesin e vjeljes, duhani vendoset në serë për tu tharë.
Mbasi duhani është tharë në serë vendoset në trarë ku qëndron për 30 ditë. Me fillimin e shirave dhe shirokut duhani zbutet. Ai me pas merret dhe stivohet në çardaqe ku qëndron për rreth 3 muaj. Mbasi duhani ka qëndruar stivë dhe është stazhonuar mirë marrim vargun dhe e lagim me ujë për ta zbutur nga dy krahët. Pastaj e vendosim në plastmas (thes) ku qëndron afërsisht një gjysmë dite. Kur duhani është zbutur, hapet vargu, palosen fletët një mbarë, një mbrapsht dhe pastaj është gati për ta çuar tek qarku për ta grirë. Çarku në të cilin grihet duhani përbëhet nga një cung prej lisi i latuar, goja e duhanit dhe thika, e cila duhet të jetë sa më e mprehtë. Mbasi duhani është gati për proçesin e grirjes vendoset tek goja e duhanit ku, duke e shtyrë me anë të gjurit përpara, grihet nga thika duke u bërë gati për tu konsumuar.