Trëndafili është shkurre zbukuruese deri në dy metra e lartë, me gjemba, me lule të mëdha fletë-fletë, të bukura, të mbledhura, me erë të këndshme e në ngjyrë të bardhë, të kuqe, të verdhë etj. Botanika njeh mbi 100 lloje trëndafilash. Emri trëndafil vjen nga frëngjishtja, përkatësisht nga latinishtja rosa. Prejardhjen e ka nga Persia. Trëndafili i cili përdoret për të përfituar vajin eterik është rosa damascena e cila rritet kryesisht në Shqipëri, Turqi, Bullgari, Iran, Indi dhe Kinë.
Petalet apo lulet përdoren shpesh si aromë, për shurup dhe për të përftuar ujin esencial apo vajin e trandafilit. Parfumet e trëndafilit përfitohen zakonisht nga esenca ose vaji i trëndafilit, e cila është një përzierje e vajrave esencialë të paqëndrueshme të përfituara nga avulli i distiluar i petaleve të trëndafilit. Vaji esencial është transparent i verdhë i lehtë ose i verdhë në gri dhe prodhimi i tij është shumë i shtrenjtë për shkak se nevojiten rreth dy mijë lule për të prodhuar një gram vaj. Trëndafili quhet me të drejtë “mbretëresha e të gjitha luleve” dhe vaji esencial që nxiret prej tij, është ndër më të shtrenjtët.
Uji i trëndafilit mundet të përdoret në peceta të lagura dhe vepron te konjuktiviti, djegjet nga dielli, plagë dhe kundër temperaturës së lartë. Të gjitha produktet e trëndafilit janë produkte bukurie shumë të çmuara por edhe me shumë efikasitet. Ato pastrojnë, rigjenerojnë, shërojnë, heqin rrudhat dhe mund të përdoret nga çdo tip i lëkurës e në veçanti ato të infektuarat, lëkurat e thata dhe shumë të ndjeshme. Përhapja e përditshme e një sasie të caktuar, ripërtërin qelizat, rrit elasticitetin dhe lëmueshmërinë e lëkurës, eleminon plotësisht vijat e holla, zbutë rrudhat e thella etj.
Mënyra e nxjerjes së ujit të trëndafilit.
Mbledhja e trëndafilit.
Koha më e përshtatshme është 15-30 qershor. Trëndafili mblidhet herët në mëngjes pa i ikur vesa e mëngjesit. .
Përgatitja e sahanit
Sahani duhet të jetë prej bakri i kallaisur dhe me dhëmbëza anash. Merret një rrotë me pe dhe në pjesën e sipërme të pjatës e ndihmuar nga dhëmbët e pjatës thuret një rrjetë në formën e rrjetës së merimangës. Përgatitet një napë pambuku në madhësinë e pjatës dhe vendoset mbi rrjetën e formuar. Mbi napë shtrojmë petalet e trëndafilit në trashësinë rreth dy-tre gisht dhe mbi të vendosim një letër të bardhë. Gjatë kësaj kohe përgatisim zjarrin, i cili duhet të jetë bërë prush. Mbi letrën e bardhë vendosim një rrasë të hollë guri. Pjatën e vendosim në një tepsi me ujë të freskët. Mbi rrasën e gurit hedhim një shtresë hiri dhe më pas e ushqejmë me prush të parapregatitur. E lëmë kështu për reth 1 orë. Më tej heqim gurin dhe shohim se petalet janë ngjeshur dhe kanë marrë formën e bukëfiqes me ngjyrë të verdhë. Në fund të pjatës kemi përfituar ujin e trëndafilit.
Ruajtja e ujit të trëndafilit Uji hidhet në një shishe qelqi. Proçesi përsëritet disa here derisa të mbushim shishen që kemi në dispozicion. Shishes i hedhim një lugë gjelle nga uji i përfituar një vit më pare, i cili shërben për fermentimin. Shishen e vendosim në një vend me diell dhe e lemë për 15 ditë rresht. Gjatë kësaj kohe uji “tërbohet” dhe çliron gjithë aromën e tij. Shishja me ujë trëndafili është gati për përdorim. Ujin e trëndafilit të përftuar e vendosim në një vend të freskët. Petalet e mbetura nga përtharja vendosen në sergjenët e rrobave midis jorganëve dhe çarçafëve për tu dhënë atyre aromën e trëndafilit si dhe për të mos i zënë moli.
(Në materialin video, Resmie Tuci, Përmet. Tel: +355686771234)