Glikoja është një nga thesaret e panumërta të kuzhinës permetare. Ajo përgatitet nga fruta dhe perime të ndryshme të rritura në vend.
Glikoja e arrës e cila përgatitet nga arrat e plota të njoma jeshile, është një nga më populloret, dhe ndiqet nga glikotë e qershisë , patëllxhanit, fikut të egër, kumbullës por edhe domates, karotes etj. Glikoja e arrës përgatitet nga arrat e njoma ose siç njihen ndryshe kaçka të cilat duhen mbledhur në momentin e duhur.
Mbledhja e kokrës së kaçkës për gliko.
Kokrat e kaçkës mblidhen në periudhën 1-15 qershor. Pasi ti mbledhim kokrat bëjmë provën se mos kanë zënë gujavgë (myk) duke prerë me thikë nga maja në formën e shkronjës V dhe me një fëndyer (shtizë) çpohet nga të dy anët. Pasi bindemi se kaçka nuk ka zënë gujavgë i mbledhim kokrat në sasinë e duhur, i presim nga maja dhe fundi në formën e V-së dhe pasi i kemi çpuar dhe me shtizë i hedhim në një kovë me ujë. Më pas i japim një vale. Pas valës i hedhim në një enë me uji të freskët duke i lëmë për 40 ditë rresht duke e ndëruar ujin dy here në ditë. Pas 40 ditëve e provojmë me dorë nëse hiqet lëkura nëse po, bëjmë pastrimin e lëkurës dhe i hedhim në një enë me uji të pastër duke i shpëlarë dy tri here. Përgatisim një enë me lëng gëlqere dhe në të hedhim kokrat e kaçkës dhe i lëmë për rreth dy orë.
Përgatitja për zierje.
Pasi i heqim nga uji i gëlqeres i kalojmë një vale të lehtë dhe më pas e lëmë të ftohet. Pas 24 orësh i bëjmë një vale të dytë dhe e heqim nga zjari.
Përgatitja e sherbetit.
Numerohen 25 kokrra kaçka për 1 kg sheqer dhe 3 gota ujë, të cilat vihen në zjarr. Pasi fillon të valojë, herë pas here heqim shkumën pasi ajo përmban papastërti dhe turbullon sherbetin. E lëmë të ziejë për një fare kohe deri sa të trashet lëngu. Me një lugë me vrima heqim kokrat nga lëngu të cilat i mbushim me thelbinj arre ose bajame dhe i hedhim përëri në sherbet. Moment i heqjes nga zjarri bëhet duke mare pak lëng dhe e pikojmë në thorin e gishtit tregus dhe nëqoftëse pika qëndron në formën e një sumbulle atëhere duhet të hiqet nga zjarri. Para heqjes nga zjarri i hidhet një majë luge limontos dhe disa gjethe aromatike nga bima e barbarozës. Pasi hiqet nga zjarri lihet të ftohet dhe hidhet nëpër kavanozë të cilët mbyllen fort me kapak dhe ruhen në vende të errta dhe të freskëta.
(Në materialin video Natasha Velaj, Përmet. Tel : +355694410479)