Jetesa e barinjve në stane ka qenë gjithnjë e veshtirë dhe nevoja për tu ushqyer në vazhdimësi, i detyronte ata që të përdornin keto mënyra alternative për ruajtjen apo përpunimin e produkteve.
Shëllira e Kaçupit është një produkt që përftohet nga qumështi i deles dhe ruhet në lekurën e bagëtive të imta. Ky zanat është i trashëguar në zonën e Labërisë brez pas brezi, por dita ditës kjo traditë po humbet. Braktisja masive e fshatit dhe domosdoshmërisht e jetës në stan, ka sjell që kjo traditë e lashtë të praktikohet gjithnjë e më rrallë nga barinjtë dhe banorët në fshatra. Për fat të mirë ka ende barinj që e vazhdojnë traditën e përgatitjes së shëllirës. Lavdurim Kalemi nga fshati Kolonjë i Gjirokastrës, i cili e ka të trashëguar në breza traditën e shëllirës së kaçupit, vazhdon ende ta ofrojë këtë produkt .
Si prodhohet kaçupi?
Në fillim krypim lëkurën e dashit ose të cjapit, e cila duhet të jetë me sipërfaqe sa më të madhe. Hedhim 2-3 kg krypë mbi lëkurë dhe e fërkojmë vazhdimisht sa më gjatë deri sa një pjesë e kripës të përthithet. Më pas e palosim dhe e lëmë lëkurën 1 javë së bashku me krypën.
Më tej lëkurën e ruajmë duke i hequr të gjitha qimet e bagëtisë. Pasi kemi mbaruar me procesin e ruajtjes, kaçupin e futim në ujë. Pasi lëkura të jetë zbutur e tëra, e nxjerrim nga uji, e lëmë të kullojë, e frymë dhe e lëmë të thahet në diell 1-2 ditë në varësi të kohës. Pasi thahet lëkura, e lajmë me ujë të pastër dhe e thajmë përsëri.
Si prodhohet shëllira e kaçupit?
Në fillim marrim qumshtin që kemi mjelë nga bagëtitë, e kullojmë dhe e ziejmë. Më tej e lëmë qumështin të ftohet dhe e hedhim në kaçup bashkë me një sasi kripe e cila përcaktohet sipas rastit në varësi të sasisë së qumështit dhe madhësisë së kaçupit. Kaçupin e mbushim deri në grykë dhe e lidhim me spango ose litar prej lini. E vendosim kaçupin në shtrat (vend i posaçëm), vend në të cilin ai fillon dhe kullon lagështirën e tepërt. Më tej, me një biçak e pastrojmë kaçupin nga jashtë çdo ditë në vijim, deri sa të nxjerri të gjithë lagështirën dhe në fund të mbetet shëllira, të cilën e hedhim në enë të posaçme. Shëllira e kaçupit reziston kështu deri në 8 muaj.
(Në materialin video Lavdurim Kalemi, Kolonjë Gjirokastër. Tel:+355692555831)