1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Perpunimi i xunkthit
Perpunimi i xunkthit
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Perpunimi i xunkthit
Perpunimi i xunkthit

Në ditët e sotme tradita e përpunimit të thuprës është ndërthurur me modernen, ku sot gjejmë një gamë të gjerë të prodhimit të tyre, si çanta, aksesorë zbukurimi, etj.

Komunitetet e interesuara janë blerësit vendas apo turistë të huaj, të cilët kërkojnë të blejnë punime artizanale.

Materialin e lëndës së parë artizanët e sigurojnë vetë dhe e grumbullojne njeherë në vit, apo dhe e blejnë në persona të tjerë, kurse aksesorët i sigurojnë në tregun e pazarit dhe jashtë vendit.

Përpunimi i thuprës është element i trashëguar ndër shekuj nga anëtarët e komunitetit Rom. Përpunimi i thuprës në gjuhën rome quhet (Buti Vicaqiri).

Pëllumb Hysa, i cili e ka filluar këtë zanat që në moshë të hershme. Ai thotë se e ka  të trashëguar nga babai  i tij dhe për herë të parë në moshën 6 vjecare ka thurur një “SEPETE”. Ky zanat ka kaluar ndër breza: nga gjyshi-i ati-i biri-nipi-stërnipi, pra një traditë shumëvjeçare. Babai i tij, Izeti,  ka qënë një ndër romët e parë që ka hapur në vitin 1968 repartin e parë tek “Ndërmarrja Artistike”, të quajtur “Reparti i Xunkthit”. Ky repart nuk kishte vetëm punëtorë nga Komuniteti Rom, por kishte gjithëpërfshirje, gjë që tregon shpërndarjen dhe ruajtjen e saj edhe në komunitetet e tjera.

Pëllumbi shpjegon procesin e thurjes së një produkti (thurja apo veshja e një shisheje). Në fillim merret thupra, të cilën e gjejnë anës lumenjve. Kjo bimë mblidhet vetëm në muajin gusht dhe pastaj përdoret gjatë gjithë kohës. Rëndësi ka dhe lidhja e thuprave me njëra-tjetrën, që të jenë sa më të drejta. Përvec thuprës së bardhë ka dhe një lloj thupre tjetër me ngjyrë, e cila gjendet edhe në periudhën e dimrit.

Për thurjen e shishes merren 24 thupra, të cilat zbuten në ujë.

Më pas, me një vegël pune, të cilin e quajnë “tresh” bëhet çarja e thuprës. Kalohet përsëri në ujë për t’u zbutur (proces që përsëritet edhe gjatë thurjes) dhe më pas thupra kalohet në një tjetër vegël, e cila ndan “bukën”, siç quhet pjesa e brendëshme e thuprës duke përfituar kështu pjesën tjetër të pastër, e cila quhet “rimeso” dhe përdoret për të thurur produktin.

Thurrja e elementit bëhet duke filluar nga fundi i shishes duke u ngjitur lart deri tek gryka e shishes. Këtu fillon procesi i mbylljes dhe lidhja e të gjitha fijeve të kashtës, në mënyrë që thurrja të ketë qëndrueshmëri.

Në ditët e sotme tek ky zanat ndërthuret e vjetra me të renë, e cila e bën produktin të jetë i larmishëm. Kjo mjeshtëri trashëgohet në linjë familjare, si tek gjinia mashkullore ashtu edhe tek ajo femërore.