Pjekja me saç është mënyra më tradicionale e pjekjes së ushqimeve në Qarkun e Korçës. Kryesisht me këtë mënyrë piqen lakrorët, byreqet por edhe mishi e ëmbëlsirat.
Si fillim krijohet bazamenti për vendosjen e saçit. Saçi ka formë gjysëm sferike prej llamarine dhe në pjesën e sipërme ka një dorëzë metalike për kapje. Ai përgatitet prej kovaçëve dhe shërben për të pjekur gatime të ndryshme, kryesisht prej brumi. Për të krijuar bazamentin përdoren gurë ose tulla që ngrihen 25-30 cm nga toka. Në mes të këtij bazamenti vendosen shkarpa (degë të holla dhe të thata pemësh), ndezja e të cilave shërben për të ngohur saçin.
Zakonisht përdoren shkarpa të holla, për të mos krijuar shumë nxehtësi. Zjarri me shkarpa u jep një shije më të mirë gatimeve që piqen në saç. Pas ndezjes së zjarrit, saçi mbështetet mbi gurët dhe pritet deri sa të digjen të gjitha shkarpat (ky proces shoqërohet me shumë tym). Ai mbahet gjithmonë i mbuluar me një shtresë hiri për të mbajtur më gjatë nxehtësinë. Gjatë kohës që digjen shkarpat zjarri trazohet me një shkop druri me qëllim që ato të digjen të gjitha dhe të krijohet prush.
Tava (tepsia) me lakrorin ose gatime të tjera vendoset fillimisht në tokë dhe i vihet përsipër saçi. Kjo bëhet që ai të marrë nxehtësi nga sipër. Pas kësaj, pasi ka rënë prushi, vendoset perustia mbi të. Perustia është nje strukturë hekuri në formë trekëndëshi, e cila qëndron mbi tre këmbë prej hekuri. Tava (tepsia) vihet mbi perusti dhe sipër saj vendoset saçi i nxehur. Prushi trazohet herë pas here me shkop për të lëshuar nxehtësinë. Me anë të shkopit ai përhapet në një zonë me diametër më të madh sesa ai i tepsisë me qëllim që të piqet i gjithë lakrori.
Kur lakrori piqet në saç në një kohë (mot) të nxehtë, dhe ka më tepër nxehtësi nga sa duhet, saçi hiqet herë pas here prej lakrorit. Në kohë të ftohtë, kur nxehtësia për shkak të erërave ikën jashtë, mund të duhet që të ndizet zjarr përsëri për të marrë prush dhe për t’ia hedhur sipër saçit.
Saçi hiqet here pas here për të kontrolluar procesin e pjekjes, me qëllim që gatimi të mos digjet.
Me ndihmën e një thike lakrori ngrihet herë pas here, për të kontrolluar pjekjen në pjesën e poshtme. Pasi është pjekur, hiqet saçi dhe largohet tepsia, e cila kapet me doreza dhe lihet të ftohet. Eshtë zakon që, kur mbaron pjekja e lakrorit, perustia vendoset mbi saç, për të pasur në vazhdimësi bollëk në shtëpi.