1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Prodhimi artizanal i...
Prodhimi artizanal i çiftelisë dhe sharkisë
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Pukë
  4. Prodhimi artizanal i...
Prodhimi artizanal i çiftelisë dhe sharkisë

Per te prodhuar në mënyre artizanale një çifteli dhe sharki, në fillim zgjidhet druri i përshtatshëm, i cili mund të jetës arra ose mani, por edhe ndonjë dru tjetër. Druri duhet të pritet në dimër kur të ketë rënë gjethi dhe duhet të jetë mbi 40 vjecar.

Prerja e drurit duhet të bëhet me hënë të vjetër, duhet të jetë dru shullani ( i rritur në zonë me diell) dhe me fije të drejta. Drurit, pasi ndahet përmes, i jepet forma e jashtme, duke filluar gërryerjen e formës së kupës ose kokës. Ky proces bëhet kur druri është ende i njomë. Fillimisht gërryerja e drurit nuk bëhet e plotë. Ai lihet të stazhionohet për 3 ose 4 muaj, pastaj bëhet gërryerja totale. Pas kësaj duhet të rrijë rreth 8 muaj në proces tharjeje.

Gjatësia e instrumentit varion nga 60 cm (nga kali deri tek perdja e fundit) e gjer në 63 e 66 cm sipas preferencës së instrumentistit.

Bishti i çiftelisë dhe sharkisë bëhet me dru ahu të bardhë të stazhionuar. I jepet formë trekëndore me cepa të lakuar. Në pjesën ku bashkohet me kokën është me e gjerë sesa në pjesën e fundit ku vendosen kunjat e telave. Në bisht vendosen edhe perdet, që janë gjithsej 13, me material bronx. Largësia e perdeve nuk është e njëjtë, por vendosen sipas një shablloni të mjeshtrit, në varësi të gjatësisë së instrumentit. Ndërsa sharkia numrin e perdeve e ka më të madh, në varësi të madhësisë së sharkisë, me mbi 20 perde.

Kunjat ose çelsat: prodhohen me dru palme, me kokë të gjërë dhe me kunja në formë konike. Po në formë konike bëhet edhe vrima në bishtin e instrumentit, ku do vendoset kunji.

Kali – është një pjesë e vogël që vendoset tek kapaku i kokës, me qëllim që të ngrihen telat lart, për një tingull sa më të mirë. Kali mund të bëhet me dru ose metal.

Prodhohen dhe 2 mbajtëse telash, njëra në fund të kokës së instrumentit dhe tjetra pas perdes së fundit, prej materiali bronx ose inox.

Dekorimi bëhet me pikturë dhe me pirografi. Për lyrjen dhe pikturimin përdoret një lëndë që quhet gomallak, i cili shkrihet në alkool 96 gradë dhe lyhet totalisht. Këtij materiali të lëngshëm, i shtohet ngjyra e preferuar dhe vizatohet figura e dëshiruar.

Në fund aplikohet teknika pirografike.

Ndryshimi që ka çiftelia me sharkinë: Çiftelia ka dy tela dhe është më e vogël si konstrukt, ndërsa sharkia ka 3 tela dhe është më e madhe.