Qëndisja me dorë
Në fillim marrim copën që kemi matur dhe prerë sipas kërkesës, e cila duhet të jetë simetrike. Më pas shënojmë rreth e rrotull me laps të barazlarguar njëlloj nga të katër anët vendin ku do bëjmë azhurin. Fillojmë të heqim fijet deri në gjerësinë e duhur. Duhet të kemi parasysh që azhuret të fillojnë nga më i vogli që është 0,5 cm – 3 cm. Mbas heqjes së fijeve fillojmë me punimin e azhurit, i cili bëhet duke kapur fijet që kemi hequr pak më parë. Ky punim vazhdon duke vendosur copën në gjergjef.
Mbas përfundimit të këtij procesi, marim një fletë karbon dhe laps të zi. Fletën e karbonit e vendosim mbi copë duke nxjerrë modelin që kemi zgjedhur. E vizatojmë atë dhe më pas kalojmë në procesin tjetër që është qëndisja. Duhet të kemi parasysh që copa gjithmonë vendoset në gjergjef-in, i cili ka vetinë e ruajtjes së modelit me korrektësi por edhe që punimi të bëhet më i shtruar.
Elementët e qëndisjes janë mbushja dhe prerja ose “kofto”, fjalë që vjen nga greqishtja. Gjithashtu kemi fiston dhe bordura të ndryshme. Qëndisja, gjatë punimit, shoqërohet me një fill të trashë nga sipër, që punimi të dalë kreko, i sheshtë, dhe i bukur.
Rëndësi ka edhe fija që përdorim, mbasi luan rol në cilësinë e produktit dhe jetëgjatësinë e këtij elementi.
Qëndisja me makinë
Për qëndisjen e elementit në makinë përdoren 2 lloj fijesh, njëra që e vendosim tek sovajka e makinës dhe tjetra tek gjilpëra e saj. Fija që përdorim në sovajkë duhet nr. 36, ndërsa fija që përdoret në gjilpëra duhet nr. 56. Kjo ka shumë rëndësi pasi punimi del i arrirë dhe perfekt vetëm në këtë mënyrë. Mbasi kemi përfunduar qëndisjen, e heqim nga gjergjefi, e pastrojmë nga mbetjet e fijeve dhe kemi nxjerrë kështu një “kare” (mbulesë tavoline katrore) sipas kërkesës së klientit.