Puna e një poçari fillon me grumbullimin e materialit, lëndën e parë (argjilë-baltë), e cila sigurohet nga fusha e Korçës, Devollit dhe Kolonjës. Këto materiale janë në ngjyra të ndryshme dhe përzierja e tyre krijon tonalitetin e nevojshëm.
Pasi mblidhet dhe përzihet balta me argjilën, ruhet në një kazan të madh shumëkuintalësh duke e përdorur sipas nevojës.
Për të filluar përgatitjen e një elementi, merret brumë balte i përgatitur, i cili është i vendosur mbi plloçën rrotulluese të qarkut (tornos), ku më pas me duart që lagen herë pas here, punohet me brumin, duke e “përkëdhelur” atë për t’i dhënë formën që duam.
Produktet janë të ndryshme si: bardhakë, vazo të madhësive dhe formave të ndryshme, pjata, qypa, gota vere, shtampa, tava, çerep, tenxhere, etj. Pasi kalon faza e tornimit, elementi i pregatitur pritet me telin prerës për ta ndarë nga tornoja.
Pasi produkti hiqet nga tornoja, lihet në ambientin tharës për minimumi 3 javë dhe më pas kalon në pjekje, e cila ka një temperaturë prej 900 gradë. Pjekja vazhdon disa orë në varësi të llojit të elementit. Furra e pjekjes është artizanale. Mbasi ka mbaruar pjekja, produkti kalon në glazurim dhe zmaltim, të cilat janë fazat përfundimtare të përgatitjes së elementit të kërkuar.