Hapi i parë i përpunimit të leshit, fillon me qethjen e deles rude, pasi kjo racë është autoktone e zonës.
E lajmë leshin në kushte shtëpie në mënyrë artizanale, e futim në postaf (çezmë oborri) për ta shpëlare nga balta rrodhet dhe papastërtitë që merr delja në kullotë.
Pasi mbarojmë shpëlarjen, bashkën, (siç e quajmë leshin e qethur nga delja) e futim në një enë të madhe, govatë ose bidon, duke i hedhur ujë të ngrohtë dhe sapun të grirë dhe lemë kështu për gati 2 orë, në mënyrë që të lëshojë papastërtitë dhe yndyrën.
Më pas fillon shpëlarja pjesë – pjesë, me ujë të bollshëm. Në fund leshin e varim për tu kulluar në tela ose në rrjeta derisa të thahet.
Etapa e çëpkatjes është procesi i cili ndodh mbas tharjes së leshit. Cëpkatje do të thotë hapja e leshit me duar për ta shkriftuar dhe për ti hequr papastërtitë që i kanë mbetur.
Leshi i cëpkatur më pas kalon në një makineri krehjeje duke u bërë “kuvaristë” për tjerrje. Tjerrja bëhet me furkë kur leshi është shtullungë dhe me drugë kur leshi është kuvaristë.
Filli i përftuar nga tjerrja bëhet turrë dhe më pas kalon në procesin e ngjyrosjes, i cili bëhet me bojra që kanë bazë bimore si cacaniku (lëvoret e arrës), fletët e ftoit, cipat e qepëve të kuqe, gjethet e sinapit dhe spinaqit, nga ku përftohet ngjyra e zezë dhe jeshile. Ngjyrosja bëhet me bazë bimore, pasi nuk dëmton fibrat e leshit. Gjatë ngjyrosjes turret e leshit përzihen me një shkop druri brenda në enë, në mënyrë që leshi të marë ngjyrë të njëtrajtshme.
Mbas këtij procesi të ngjyrosjes, e cila bëhet në enë prej bakri ose alumini të vendosura mbi një vatër zjarri me dru, turrat e leshit thahen dhe më pas i mbledhim lemshinj të ndarë sipas ngjyrave duke i vendosur në vegël.
Mbasi kemi mbaruar ngjyrosjen e leshit fillojmë me endjen, që është procesi bazë dhe kryesor për thurrjen e qilimit.
Në fillim të këtij procesi merret maja (fill pambuku në dy ngjyra, të zezë dhe të bardhë ). Këtë element e gjejmë në treg. Sejcili lëmsh vendoset në enë të vecanta. Çdo fije të lëmshit e kalojmë në një krehër me vrima, i cili shërben për mosngatërrimin e fijeve dhe endjen. Në tokë vendosim disa gozhdë të mëdha të cilat vendosen në formë të tillë që të formojnë “gojën e lisave”. Endja bëhet në formën e numrit 8. Më pas kjo endje mblidhet në shul e cila vendoset në vegël për të punuar.
Mbas këtij procesi bëhet përlisja e majës e cila kalon nëpër lisa, duke patur parasysh që të formohet “goja” e veglës, e cila shërben gjatë punimit të qilimit për të ndryshuar rreshtin (kjo bëhet me dy pedale të vendosura poshtë veglës tek këmbët e artizanes). Mbasi kemi bërë dhe përlisjen, bëjmë shkuarjen e majës në krehër. Dhëmbët e krehërit janë të pregatitura me material ebaniti në mënyrë që të mos thyhen. Krëhëri është i vendosur në bërdillë që shërben për ngjeshjen e punës së thurur, në mënyrë që të mos duket maja në procesin e pregatitjes së produktit (qilim). Më pas bëhet lidhja në shulin tjetër dhe fillon endja e produktit, duke mbajtur parasysh modelin që do të punojmë.