Në Shkodër, ndodhet një nga punishtet më të rëndësishme të prodhimit në mënyrë artizanale të maskave veneciane me një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, me një shumëllojshmëri ngjyrash, dekoresh, temash personazhesh si Arlekino i famshëm, Kolombina, Doktorin e Murtajës, e plot e plot modele të tjera të njohura të komedisë së artit.
Karnavalet shijohen me kostume të bukura dhe maska të jashtëzakonshme. Maskat mund të jenë me tema klasike dhe historike, por edhe krijime moderne, origjinale. Maskat janë një homazh për origjinën e karnavaleve që datojnë prej një mijë vjetësh. Maska ndihmon fshehjen e identitetit të një njeriu, duke e bërë misterioz. Në shekujt e kaluar, maska i lejonte njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore të përziheshin me njëri-tjetrin.
Edmond Angoni, i cili është ai që e çon përpara këtë punishte, krijon maskat në mënyrë artizanale me metodën tradicionale të kartonit të presuar.
Procesi i punës për secilën maskë kalon në 10-13 artizanë. Në fillim zgjedhim personazhin dhe e skicojmë atë, krijojmë kallëpin në allçi, bëjmë modelimi në baltë të maskës sipas tipologjisë tradicionale, derdhim në allçi modelin e realizuar në baltë dhe nxjerrim negativin, i cili na shërben si formë bazë në prodhim.
Marrja e formës nga negativi realizohet me anën e kartonëve të hollë, të cilët lyhen me një lëndë ngjitëse (miell dhe ujë, të cilat zjehen në zjarr deri sa krijojnë një masë ngjitëse xhelatinoze) duke u vendosur në mënyrë të kryqëzuar mbi njeri-tjetrin. Kartonët ngjeshen me dorë në negativë për të marrë një formë sa më të saktë dhe vendosen për tu tharë. Më tej bëhet prerja e anëve dhe e syve, me brisk ose gërshërë tek maskat e thara, lyerja e maskës me ngjyrë të bardhë dhe përgatitja për t’u dekoruar. Dekorimi bëhet me elementë pikture të realizuar me dorë, me foglia d’oro (letër ari ose argjendi), me pupla natyrale me ngjyra të ndryshme, me ngjitje, me metale me elemetë florealë, macramé (qëndisma të vogla) lëkurë, gurë dekorativë. Në fund, realizohet dhe procesi i vjetërimit si edhe ngjitja e rripave lidhës për tu fiksuar me kokën.