Punimi artizanal i tiganit të qifqive është një nga elementet e rralla të trashëgimisë sonë jomateriale, datimi i së cilës lidhet me fillimin e përdorimit të orizit në jugun e vendit.
Ky lloj i veçantë tigani shërben për përgatitjen e Qifqive, një gatim tradicional i zonës së Gjirokastrës. Qifqitë janë orizi i përzier me vezë dhe erëza (nenexhik dhe piper i zi), të cilat piqen (skuqen) vetëm në këtë lloj tigani.
Tigani i qifqive përgatitet nga materiali i bakrit të petëzuar. Karakteristika e tij është se ky lloj tigani nuk ka fund të sheshtë, por të gropëzuar, Zakonisht ky lloj tigani përgatitet me 5 apo 7 gropa. Tigani ndërtohet prej metalit të bakrit si një nga përçuesit më të mirë të nxehtësisë.
Tigani përbëhet nga dy elementë, pjesa e gatimit ku janë formuar gropëzat e buzët anësore të cilat ngrihen 4 cm vertikalisht dhe bishti me një gjatësi mesatare 35-40 cm. Bishti ndryshe nga tigani që është prej bakri është prej hekuri. Bashkimi i bishtit me tiganin bëhet përmes percinave të bakrit të cilat përgatiten nga vetë kovaçi.
Në varësi të madhësisë së tiganit që duam, një fletë bakri pritet në formë rrethore me gërshërën e metalit. Pas kësaj përmes një unaze rrethore skicohen gropat me anë të një shënjuesi prej metali, i cili lë gjurmë mbi fletën e bakrit. Pasi mbeshtetet në një kudhër, fleta e bakrit vendoset mbi unazën e çeliktë dhe me çekiç fillohet të goditet mbi secilen grope të vizatuar mbi fletën e bakrit. Bakri përkulet dhe fillojnë kështu konturohen gropëzat. Ato hapen deri në një masë të caktuar. Për të rritur elasticitetin e metalit të bakrit e ngrohim atë në zjarr dhe përsëri fillojnë goditje me rradhë me çekiç për të arritur thellësinë e duhur.
Bishti përgatitet me një copë hekuri të petëzuar në njerën anë të së cilës montohet një dorezë druri. Përgatiten dy gozhdë bakri me të cilat bëhet bashkimi i tiganit me bishtin.
Pas këtij momenti tigani prej bakri pastrohet me acid klorhidrik. Më pas tigani pastrohet me nishadër dhe hidhet kallaji duke e kallaisur pranë zjarrit. Për të aritur një kallaisje sa më të mirë herë pas herë tigani fërkohet me pambuk original i cili është rezistent ndaj nxehtësisë. Koha e përgatitjes së një tigani shkon nga 6 deri në 8 orë.
(Në materialin video Stefo Lazo, Vrisera, Bashkia Dropull. Tel: +355673376008)