Veshja me Kanac është një ndër veshjet në fondit e kostumografisë së traditës pukjane.
Kjo veshje ështe krijuar fillimisht në fshatin Kabash të Pukës nga popullsia myslimane. Sot kjo veshje nuk përdoret mbi baza dallimesh fetare, madje edhe popullsia katolike e prodhon këtë veshje, e cila është shumë harmonike në vetvete.
Elementet e kësaj veshjeje janë:
Këmisha. Kjo dikur bëhej prej stof leshi, por ne sot e prodhojmë me kambrik (copë pambuku e bardhë). Përbëhët nga 4 pjesë, dy mëngët dhe pjesa e përparme dhe e mbrapme. Mëngët bëhën treçerekshe. Qëndiset me motive floreale, me rruaza dhe penj shumëngjyrësh.
Krahca. Është një pjesë e këmishës në formë këllëfi. Parakrahu i adaptohet këmishës, e cila i ka mëngët treçerekshe, dhe të gjëra. Krahçen e punojmë me grep dhe e qëndisim me rruaza shumëngjyrëshe me motive të ndryshme, duke i kombinuar sipas dëshirës. Ngjyrat bazë janë: jeshilja, e kuqja, bluja, e bardha dhe lejlaja.
Jeleku. Ndryshe njihet edhe si “mitan”. Stofi i mitanit është prej basme të zezë. Bëhet me 3 pjesë, 2 pjesët e përparme dhe pjesa e mbrapme. Qëndiset me motive floreale dhe gjeometrike me ngjyra të shumta si para, ashtu dhe prapa.
Brezi. Ka trashësi afërsisht 5 cm. Qëndiset me rruaza shumëngjyrëshe, me motive të shumta, sidomos ato floreale. Rruazat e brezit i qëndisim në copën e përgatitur me trashësi 2 cm, e cila është e gjatë sa perimetri i belit të trupit të femrës që e vesh.
Kanaci. Fustani i kuq. Sot e punojnë me shtiza sepse vegët nuk i kemi. Gjatësia e kanacit para se t’i bëhen palat, duhet ta rrrethojë gruan tre herë, por nganjëherë bëhet edhe më i shkurtër. Kanaci bëhet me dy ose tre pole, në varësi të trupit. Në fillim bëhen palat, të cilat i krijojmë duke përthyer copën nga 1 cm njëra pas tjetrës, duke e kapur me pe. Për të ruajtur palat futet në ujë të valuar me pleh kimik, kripë dhe limontoz. Pastaj bëhet qëndisja e motiveve floreale.
Çorapet. Bëhen me shtiza sipas këmbës, me ngjyra të bardha, kuq, lejla dhe rozë. Dekorohen me motive gjeometrike.
Riza e verdhë. Punohet në grep dhe bëhët me thekë, pa dekoracione.