1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Punimi i pëlhurave...
Punimi i pëlhurave në vegje
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Punimi i pëlhurave...
Punimi i pëlhurave në vegje

Tezgjahu është një pajisje prej druri që përdoret për të prodhuar qilima, sixhade, pëlhura, por edhe veshje popullore me larmi ngjyrash dhe modelesh. Qëllimi themelor i çdo tezgjahu është që të mbajë fijet nën tension për të lehtësuar gërshetimin e tyre. Forma e saktë e tezgjahut dhe mekanika e tij mund të ndryshojë nga veriu në jug të vendit, por funksioni bazë është i njëjtë.

Megjithëse nuk mund të dihet saktësisht kur zë fill mjeshtëria e endjes në tezgjah, padyshim ky zanat  në Shqipëri, është një traditë e ruajtur dhe e trashëguar brez pas brezi. Tezgjahu  gjendej pothuajse në  të gjitha zonat e vendit, si Shkodra, Tropoja, Kukësi, Lezha, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Berati, Kruja etj. Në tezgjah endin vajzat dhe gratë, dikur për nevoja të familjes së tyre, sot për nevoja të tregut që lidhen me aktivitetin e turizmit kulturor. Vitet e fundit punimet e tezgjahut përveç artikujve me motive popullore, po përdoren edhe duke u ndërthurur në gërshetimin e tradicionales me modernen. Kjo traditë që breza më parë filloi për mbijetesë e vazhdoi si zejtari, tashmë është kthyer në një art të mirëfilltë. Përveç kërkesave brenda vitit, punimet në tezgjah kanë sjellë edhe interesimin e të huajve.

Pëlhura është pjesë shumë e rëndësishme në ambientet e shtëpive shkodrane, duke filluar nga bezja e sofrës (sofrabez) e deri tek perdet, çarçafët, mbulesa dhe çdo gjë tjetër që  nevojitet  në shtëpi. Shkodranët janë fanatik  në ruajtjen e traditave. Edhe sot ky zanat është mjaft i përhapur dhe punohet me të njëjtin  stil që na kanë lënë të parët tanë. Endja e një pëlhure në tezgjah fillon me përzgjedhjen e fijes, në bazë të trashësisë dhe ngjyrës. Më tej puna vijon me endjen, e cila është shumë e rëndësishme në mënyrë që pëlhura të dalë cilësore.  Fija vendoset në bosht druri, e cila përshkon “liçin’’ dhe “shpatin’’ , lidhet  me një tjetër bosht para tezgjahut  dhe kështu fillon puna e endjes së pëlhurës. Mjetet me të cilat kryhet endja janë: kallamat dhe “mëqiku’’. Sipërfaqja e domosdoshme për endjen e pëlhurave me fije mëndafshi duhet të jetë 200 m2. Sot familja Mjeda duke përdorur eksperiencën ndër vite, e ka modifikuar këtë sipërfaqe duke e zvogëluar sipërfaqen e domosdoshme të punimit në rreth 30 m2.