1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Punimi i tavaneve...
Punimi i tavaneve të gdhendura
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Punimi i tavaneve...
Punimi i tavaneve të gdhendura

Historikisht, tavanet janë zbukuruar nga mjeshtrat popullorë, me punë dore dhe me mjete të thjeshta siç janë: brisku, gërryesi, zdrukthi, zgubje, dalta, skrapela. Të gjitha këto me forma dhe madhësi të ndryshme për të realizuar dekoracionet që kërkon porositësi.

Puna parapërgatitore

Dekoracionet e tavaneve realizohen duke paraqitur elementë të veçantë të trashëgimisë, duke u bazuar shpesh në motive gjeometrike  siç janë: rozeta, këndori, kapiteli, korniza si dhe dekore të tjera për të përmbushur sipërfaqen e tavanit.

Në fillim të këtij procesi të gjatë dhe të ndërikuar, vëzhgohet dhe studiohet objekti ku do të vendoset tavani. Më tej merren masat e hapësirës ku do të vendoset dhe vendosen modelet që do të realizohen duke bërë llogaritjen e sasisë së drurit që nevojitet.

Realizimi i tavanit të gdhendur.

Drurët më të përdorur për gdhendjen e tavaneve zakonisht janë druri i Arrnis (Halor) i cili rritet në malet e Lurës, dhe druri i pishës së Vermoshit. Që të dy këto lloj drurësh mbartin cilësi të lartë.

Në fillim panelet e drurit shkurtohen sipas madhësisë së dekoracionit. Pastaj një faqe dhe një koc (anësorja) e dërrasës kalon në plan drejtues. Më tej bëhet zumparimi (lëmimi) në sipërfaqet dhe anët e dërrasë me numër 180 ose dhe zumparim më të imët 300. Zumparimi 180 dhe 300 është numri i letrës që përdoret për lëmimin e paneleve të drurit .

Më tej fillojmë me vizatimin e dekoreve, hedhjen e tyre në letër kalk dhe vizatimin në dru. Vizatimet në dru bëhen në klishe(shabllon).

Në këtë fazë fillojmë me gdhendjen e dërrasës me daltë, skrapelë, zgubje, gërryes ose brisk. Mbas gdhendjes bëhet përsëri zumparimi. Kur arrijmë në fazën përfundimtare të gdhendjes, ku kemi përfituar format e dekoracioneve të duhura, kalojmë tek llakosja e dërrasës së gdhendur. Llakosja mund të bëhet në punishten ku gdhendet dekoracioni dhe vendoset e llakosur në objekt ose dekoracioni vendoset në objekt dhe pastaj bëhet llakosja. Për të dyja rastet e llakosjes, tharja bëhet në mënyrë natyrale e cila zgjat minimumi 24 orë. Ngjyra më e përdorur për llakosjen e tavaneve është ngjyra kafe. Këto tavane kanë ardhur duke u përsosur deri në ditët tona, duke ruajtur karakteristikat më të spikatura të elementeve të trashëgimisë kulturore të zonës së Shkodrës.