1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Qëndisja me dorë
Qëndisja me dorë
  1. Home
  2. Qarku i Shkodrës
  3. Bashkia Shkodër
  4. Qëndisja me dorë
Qëndisja me dorë

Qëndistaria tradicionale në Shkodër është bërë me gjilpërë në pëlhura të ndryshme si: në mëndafsh, lino, organdin, kumash, puplin dhe pëlhura pambuku, etj.

Qëndisja bëhet me fije pambuku, mëndafshi, ari, argjendi.

Llojet e punimit:

Puna “Therur” punohet në pëlhurë të hollë mëndafshi (kumash), me gjergjef tradicional katror me katër kamë, për arsye që mos të përthyhet pëlhura e mëndafshit. Kur punohet me fije mëndafshi përdoret gjilpërë me një, vrimë, kur përdoren fije argjendi dhe ari, përdoret gjilpërë me dy vrima.        

Puna “Hije” bëhet në copë organdin ose copë mermer, është një lloj pëlhure me mëndafsh e përzier me pambuk, e cila ka një lloj transparence, me këtë lloj cope janë punuar dikur barnavekët. Qëndisja e kësaj teknike bëhet me gjergjef rrethor. Në faqen e sipërme të pëlhurës, punimi është i drejtë linear, ndërsa nga ana e brendshme, punohet me teknikën kryq, duke qenë pëlhura e hollë dhe me një lloj transparence, pjesa e poshtme krijon një hije, e cila ndjek motivin e pjesës së sipërme, nga e cila merr emrin dhe teknika.

Puna “Yrme” ose “Site” bëhet në pëlhurë lino (pambuk) ose puplin, hiqet nga një fije prej pëlhurës në formë katrore, këto katrore qëndisen me fije pambuku duke krijuar kështu një lloj hapësire që në pamje duket si site, nga e cila merr dhe emrin punimi.

Puna “Kryq” është qëndistaria që përdoret më shpesh, pasi është më e shpejtë dhe rezultati është i kënaqshëm. Punohet në copë pike ose copë me katrorë, thurrjet bëhen në formë x me një rend të caktuar sipas ngjyrave, psh: katër me pe të kuq, 5 me vishnje, 6 të verdhë e kështu me rradhë.

Puna “Shkop, Zinxhir” etj,  është një punë ku përziehen të gjitha teknikat e mësipërme dhe është mjaft lineare. Motivet e qëndistarisë tradicionale shkodrane mbizotërohen kryesisht nga objektet floreale. Motivet floreale shquhen për ngjyra të çelta dhe të gëzueshme.