Revania është një gatim i cili i i shoqëronte familjet në ngjarjet më të rëndësishme si lindja, martesa dhe vdekja. Në familjet e krahinës njihet ndryshe me emrin “lale me kore”. Ajo gatuhej në tepsi e piqej deri sa të zinte një kore të hollë. Përsipër i hidhej sheqer pluhur.
Revania është një ëmbëlsirë e përdorur në:
Në lindjen e fëmijës. Rreth 2 javë pas lindjes së fëmijës zhvillohet ceremonia e pagëzimit të fëmijës në kishë ku i vendoset edhe emri. Ceremonia shoqërohet gjithmonë me një darkë të madhe ku një nga elementet më të rëndësishme të gatimit është edhe revania.
Në dasma. Revania ishte një nga ëmbëlsirat më të pranishme në dasma dhe mund të gatuhej ose nga familja që organizonte dasmën ose nga të ftuarit. P.sh, kur ftoheshin miqtë në dasëm dhe ndonjëri prej tyre vendoste të vinte me një numër njerëzish të afërm të vet, atëherë atij i caktohej një konak i veçantë, mirëpo miku kishte për detyrë të sillte vetë të gjitha harxhet e ngrënies për veten dhe të afërmit e tij, dhe mes tyre sillte edhe revaninë. Në familjet myslimane të zonës së Mokrës, në dasmën e dhëndrit, revania ishte e vetmja ëmbëlsirë që sillte miku, e cila shtrohej në tavolinë kur i zoti i konakut ose i zoti i dasmës vizitonin miqtë e ardhur. Kjo ceremoni zhvillohej të mërkurën.
Po të mërkurën, pasi dhëndri lahej dhe më pas ulej me burrat për të ngrënë mëngjes, në tavolinë nxirrej revania e të zotit të dasmës.
Në familjet e krishtera, revania gatuhej dhe haej në mbrëmjen e ditës së diel, pasi ishte zhvilluar ceremonia e celebrimit në kishë dhe përpara se dhëndri të hynte në dhomë bashkë me nusen.
Në disa raste ishte kumbarja ajo që sillte revaninë siç thotë edhe kënga popullore:
“Ndrit kandili nënë ferrë/ Pa shikoni kush na vjen?/ Vjen kumbarja me peshqesh/ Me tepsinë sa një lëmë/ Revaninë pesë pëllëmbë.”
Në vdekje. Revania shoqëronte gjithashtu edhe ceremonitë e vdekjes. Ajo gatuhej gjatë drekës që shtrohej për të ndjerin/ndjerën pas varrimit.