Humbja e jetës së një njeriu është nga ngjarjet më të dhimbshme për jetën e familjarëve dhe të afërmëve. Me vdekjen e një njeriu në familje, vetë familjarët fillojnë të bëjnë gati të ndjerin për në banesën e fundit. Fillimisht nuk lajmërohet asnjë i afërm pasi nevojtet koha e duhur për ta përgatitur të vdekurin. Ai duhet të lahet dhe më pas të vishet me veshjet e përshtatshme. Në rastet kur personi është ndarë nga jeta për shkak të pleqërisë, pjesa më e madhe e tyre i kanë të përgatitura veshjet e tyre paraprakisht, kjo si një traditë e quajtur ndryshe “boçja” (përmban të brendshme pambuku me ngjyrë të bardhë si: kanatjere, mbathje, këmishë, etj). Në rastet kur vdekja e familjarit është e papritur, atëherë bëhet blerja e rrobave.
Në rast se në familje ka kafshë shtëpiake, ajo duhet të mbyllet diku, larg të vdekurit pasi mendohet se shpirti i të ndjerit kalon tek kafsha e shtëpisë. Në qoftë se ka pasqyra në shtëpinë e të ndjerit ato të gjitha duhet të mbulohen. I ndjeri lahet, vishet me kostum ose me diçka që ai vetë e ka lënë amanet, lidhen këmbët, lidhet pjesa e nofullës dhe vendoset një monedhë në gojë. Këto për të ruajtur formën drejt të trupit të të ndjerit. Duart vendosen njëra mbi tjetrën, e majta (pasi ka dhe unazën e martesës) mbi të djathën. Pasi është bërë gati shtëpia dhe i ndjeri, njoftohen të afërmit. Të gjithë janë të veshur me rroba në ngjyrë të zezë, si simbol i dhimbjes ndaj të ndjerit. Pasi mblidhen njerëzit, burrat qëndrojnë në një dhomë të veçantë, ndërsa gratë qëndrojnë aty ku është trupi i të ndjerit. Mbledhja e të afërmve dhe familjarëve shoqërohet me trishtim dhe vajtim, ose siç quhet ndryshe: “E qajnë me kuje”.
Vaji (vajtimi) është me zë të lartë dhe fjalët e vajit mund të jenë të ndryshme në varësi të jetës që ka patur i ndjeri. Zakonisht qahen vështirësitë që ai ka kaluar në jetë, i qahen ato që nuk mundi ti realizonte apo amanete që mund të ketë lënë. Vaji vazhdon deri në perëndim të diellit, me perëndimin e diellit dhe deri të nesërmen nuk qahet më, pasi sipas traditave nuk është shenjë e mirë për antarët e tjerë të familjes. Gratë dhe burrat rrijnë zgjuar gjatë gjithë natës, që “gdhijnë” të ndjerin. Nëqoftëse njeriu humbet jetën para mesnatës, ai varroset diten e nesërme. Në qoftë se njeriu humbet jetën pas mesnatës, ai do të varroset pasi të ketë kaluar një ditënatë. Kapaku i arkivolit lihet jashtë derës së shtëpisë për të njoftuar se në atë shtëpi ka një vdekje.
Gjatë natës mund të shërbehet kafe dhe raki tek burrat, si dhe përgatitet një kulaç, i cili ndahet tek personat që po “gdhijnë” të ndjerin. Kulaçi duhet të konsumohet i gjithi dhe mos të mbetet asnjë copë. Me lindjen e diellit, gratë nisin sërish vajin deri në momentin që i vdekuri nxirret nga shtëpia. Dalja e të vdekurit nga shtëpia, shoqërohet me rituale të ndryshme, kjo dhe sipas besimeve fetare. Disa prej tyre janë: ngulja e gozhdës në dysheme, thyerja e një veze (si simbol i begatisë dhe jetës). Dyert e shtëpisë lihen hapur dhe ndizet një kandil, i cili duhet të qëndrojë i ndezur për 40 ditë (kandili ndriçon rrugën e të ndjerit për në botën tjetër), si dhe një gotë me ujë (si simbol i shpirtit të të ndjerit, i cili ende gjendet në shtëpi).
Në varreza nuk qan askush me zë apo vaj. I ndjeri shoqërohet me lule në formë buqetash dhe kurorash. Pasi nxirret i vdekuri nga shtëpia, ai shoqërohet nga të gjithë për tek varrezat. Tek varri, pasi mbulohet i vdekuri thyhet një enë, gotë ose filxhan. Pas varrimit të gjithë familjarët, miqtë dhe të afërmit organizojnë një drekë, e cila “hahet për shpirt të të ndjerit”. Të gjithë të afërmit dhe familjarët, të cilët kanë qenë pjesë të ceremonisë, lajnë duart dhe fytyrën kur dalin nga varrezat, para se të futen në shtëpinë e tyre, pasi në këtë mënyrë mbajnë vdekjen larg shtëpisë së tyre. Pasi është bërë varrimi, ritualet ndiqen edhe kur i ndjeri bën 7 ose 9 ditë (në bazë të besimit fetar), 40 ditë, 6 muaj, 1 vit dhe 3 vjet. Familjarët dhe miqtë mblidhen në shtëpinë e të ndjerit, pijnë kafe dhe bëjnë biseda për ta kujtuar atë. Për ta ndihmuar familjen e të ndjerit, për fatkeqësinë që i ka rënë, i jepen para.