1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Riti i lindjes...
Riti i lindjes së fëmijës
  1. Home
  2. Qarku i Korçës
  3. Bashkia Korçë
  4. Riti i lindjes...
Riti i lindjes së fëmijës

Lindja e fëmijës është një nga ngjarjet më të bukura  në jetën e komunitetit. Ritualet lidhur me këtë ngjarje praktikohen që në fazën parapërgatitore për lindjen e fëmijës (periudha e shtatzanisë), ardhjen e tij në jetë, e deri në përvjetorin e parë të tij. Fusha e elementit përfshin ritualet, ceremonitë festive, praktikat sociale dhe shprehitë gojore.

Rituali i Lindjes së Fëmijës fillon me parapërgatitjen për ardhjen e tij në jetë. Sipas traditave, nëna e re përhap lajmin mes të afërmve për ardhjen në jetë të një fëmije, në momentin kur ajo e ndjen atë në bark. Në muajin e tetë të shtatzanisë, nëna  përgatit  veshjet  e para si: kanatjere, mbathje, çarçafë, salister, pelena, peshqira, trupore, çorape, kapuç dhe fiqka (mbështjellëse në formë zarfi ku vendoset fëmija) dhe anteriçka (veshje në formë jeleku me rripa të brendshme për të lidhur fëmijën). Veshjet e brendshme janë me material pambuku, ndërsa të jashtmet të punuara me shtiza ose grep. Në momentin e ardhjes së femijës në jetë, nëna e re shoqërohet nga familjarët e burrit dhe çasti i lindjes mbahet sekret që lehona të mos vuajë gjatë lindjes.

Lajmi i ardhjes së fëmijës në jetë njihet ndryshe me terma si: sihariq ose myzhdeja, të cilin e jep një mashkull, që është me prindër gjallë. Ky moment shoqërohet me gëzim të madh në familje dhe të afërm. Të dyja familjet, si nga nëna dhe babai i ri, përgatisin disa gatime karakteristike me simbolin e shëndetit dhe mbarësisë, si: petulla, bukëvale (vjehrra) dhe bakllava (mamaja). Petullën e parë duhet ta hajë nëna e fëmijës së porsalindur dhe më pas bëhet shpërndarja e tyre në miq dhe të afërm. Ata që marrin petullat japin  një monedhe  që fëmija të jetë i fortë në jetë. Të afërmit dhe miqtë që shkojnë për të vizituar nënën e re, duhet të shkojnë ditën dhe nuk e takojnë (puthin në faqe) lehonën, pasi, sipas bestytnive,  nëqoftëse e takojnë, nënës së re i ikën qumështi i gjirit. Fëmijës i vendoset dhe një hajmali për ta mbrojtur “për të mos marrë sy”.

Kur foshnja hyn për herë të parë në shtëpi, lyhet me miell, i jepet një vezë dhe monedhë për forcë, shëndet dhe mbarësi. Ditën e tretë, bëhet vendosja e emrit të fëmijës, e cila shoqërohet me një ceremoni festive me familjarët e bashkëshortit. Krahas vendosjes së emrave të rinj, është ende traditë në një pjesë të konsiderueshme të komunitetit që emri i fëmijës të trashëgohet prej emrit të gjyshit, apo të një të afërmi tjetër. Gjatë vendosjes së emrit, thyhet një  lugë, e cila i lihet fëmijës pranë deri sa mbush 40 ditë. Nëna nuk del nga shtëpia për 40 ditë pasi ka lindur. Pas 40 ditëve të lindjes, të dyja familjet festojnë vidjet ose vigjet, të cilat shoqërohen me dhurata nga të dyja familjet, si: byrzylyk floriri, veshje të ndryshme, krevat, orendi e sende të ndryshme, etj. Gjithashtu përgatiten dhe ëmbëlsira  tradicionale si bakllava.

Pas festimit nëna e foshnjës mund të shkojë tek familja e prindërve të saj. Rritja e fëmijës dhe vënia e tij në gjumë shoqërohet me këngë apo vargje, të njohura si ninulla, të cilat ia këndon nëna e tij. Pjesa më e madhe e tyre janë të trashëguara nga familjarët, ose të krijuara nga nëna e tij, e cila e thërret të voglin e saj me fjalë përkëdhelëse. 

Baret cupa vetë,

Trëndafil me fletë,

Borzilok  me degë,

O, moj faqe shegë.

Kur fëmijës i del dhëmbi i parë ose hedh hapat e para dhe e sheh një i afërm atë moment, duhet ti bëje një dhuratë fëmijës. Në përvjetorin e parë të fëmijës, atij i priten flokët e lindjes dhe kjo gjë festohet nga familjarët. Fëmijës i vendosen përpara disa sende, që identifikojnë profesione të ndryshme në jetë, për të parë se cilën prej tyre do të zgjedhë dhe për të parashikuar kështu çfarë do të bëhet në të ardhmen.