Riti i poganiqes
Riti i poganiqes

Poganiqia (hedhja e fëmijës në djep) është një ngjarje festive, e gëzueshme që kryhet në familjet  lunxhote kur lind fëmija. Poganiqja është një nga ritualet më të vjetra të krahinës së Lunxhërisë.

Ditën e tretë ose edhe deri ditën e shtatë në shtëpinë ku ka lindur fëmija, shkojnë të afërmit dhe gjitonët. Nga një nuse që ka lindur fëmië, ka mëmë e baba gjallë, është e pashme dhe pa cene, përgatitet kulaçi.

Pas përgatitjes së kulaçit, për vizitë vijnë njerëzia dhe fëmijë. Qerasen gliko, karamele dhe burrat pinë raki.

Fillojnë me urimet:

Me këmbë të mbarë

Edhe 100 vjec

Të rritet kanakar

U bëftë i hairit

Në mes të divanit (dhomës së ndënjes) vendoset djepi. Lehona sjell fëmijën dhe, e vendos në djep. Pranë djepit afrohen  fëmijtët dhe këndojnë:

Kur është djalë:

Poganiqe djalë burrë

Ta dërgojmë në Masurë

Të na bjerë para shumë

Para shumë e lira shumë

I majmë si derri, i butë si qengji

Daltë me shëndet nga djepi

Kur është vajzë:

Poganiqe vajzë grua

Ta dërgojmë në përrua

Të na lajë carbat

Carbat e skutinat

E majmë si deri…

Djali (vajza) që na lindi rroftë

U plakt e u trashëgoftë

Shtëpinë me fëmijë mbuloftë.

Bukur ke gatuar – o zonja Leni

Seç të kanë shquar-o

Të kanë fluturuar-o

Zonja Vito, moj kadënë

Gjumi sonte s’të ka zënë

E zure brumin që mbrëmë

Të bënej kulaç i rëndë

Djalin (vajzën) poganiqe bëmë

U rrittë me baba e mëmë .

Kënga përsëritet tri herë duke e vënë fëmijën tre herë në djep.

Më pas, vjen kulaci të cilin e  thyejnë me copa të vogla  mbi djep dhe ua shpërndajnë  fëmijëve, të cilët porositen që ta hanë brenda shtëpisë, jo përjashta sepse bëhet djali kusar. Më pas copa nga kulaçi u shpërndahen gjithë të pranishmëve të cilët përsëri hedhin e presin urime.

Këndohen këngë të tjera.

Këndon një birbil mbi portë

Dëgjoni se ç’këngë thotë.

Rrushi i kuq e rrushi i bardhë

Nusia na bëri djalë (vajzë)

Të na rritet kanakare me mëmë e baba pranë.

Të na ketë këmbën e mbarë Motëmot me një vajzë (djalë)